Proteina është një nga elementët kryesorë që trupit i duhet për të funksionuar siç duhet.
Ajo është e domosdoshme për rritjen dhe forcimin e muskujve, si dhe për furnizimin me energji të qelizave dhe indeve të trupit. Pa proteinë, as shëndeti dhe as jetëgjatësia nuk mund të sigurohen. Shumë sportistë sigurojnë sasi të mjaftueshme proteine përmes dietës, por shumë njerëz, megjithatë, nuk janë të vetëdijshëm për rolin e saj dhe burimet e saj.
Çfarë është proteina?
Proteina është një përbërës i rëndësishëm që përbëhet nga amino acide, molekula kyçe që marrin nga ushqimi, sidomos nga ai me burim shtazor. Ushqimet si mishi, vezët (përfshirë ato me Omega 3), peshku dhe produktet e bulmetit janë burime të shkëlqyera të proteinës.
Po ashtu, proteina mund të merret edhe nga burime bimore si bishtajoret, arrorët dhe farat. Konsumimi i ushqimeve të pasura me proteina ndihmon jo vetëm në mbajtjen e një peshe të shëndetshme, por gjithashtu është thelbësor për ruajtjen e funksioneve të tjera vitale të trupit.
Sipas ekspertëve, mungesa e proteinave çon në probleme serioze shëndetësore si ulje të kujtesës, luhatje të niveleve të sheqerit në gjak dhe probleme me trurin.
Sa proteinë ka nevojë trupi?
Për një person të rritur që peshon 60 kg, kërkesa minimale për proteinë është rreth 30 gramë në ditë. Sidoqoftë, individët që ushtrojnë aktivitete fizike të rënda, si sportistët, mund të kenë nevojë për sasi më të larta proteine.
Shenjat e mungesës së proteinës
Mungesa e proteinës në dietë mund të shkaktojë disa simptoma të dukshme dhe problematika të ndryshme shëndetësore:
Nepsi për ushqime të shpejta: Nëse ndiheni tërhequr për ushqime të shpejta dhe të ëmbla, mund të jetë tregues i mungesës së proteinës. Kjo ndodh pasi mungesa e proteinës shkakton luhatje të niveleve të sheqerit në gjak.
Probleme me përqendrimin: “Mjegullnajë e trurit” është një term që përdoret për të përshkruar vështirësitë në përqendrim dhe mendim, të cilat mund të shkaktohen nga mungesa e proteinave dhe aminoacideve që janë të nevojshme për funksionimin e duhur të trurit.
Pagjumësia dhe probleme me gjumin: Luhatjet e niveleve të sheqerit në gjak dhe ulja e prodhimit të serotoninës mund të çojnë në probleme me gjumin.
Kolesteroli i lartë: Mungesa e proteinës çon në mungesë ngopje, çka shkakton ngrënie të tepërt dhe mund të rrisë nivelet e kolesterolit, duke sjellë pasoja të dëmshme për shëndetin kardiovaskular.
Rënia e flokëve: Siç përmendëm, proteina është e nevojshme për rritjen e qelizave, përfshirë ato të flokëve. Mungesa e saj mund të çojë në rënien e flokëve.
Çrregullime të ciklit menstrual: Proteina është thelbësore për ekuilibrin hormonal, dhe mungesa e saj mund të ndikojë në ciklin menstrual, duke shkaktuar pasoja të tjera si infertiliteti dhe mbipesha.
Sistem imunitar i dobët: Një dietë me mungesë proteine do të çojë në një sistem imunitar të dobët, duke rritur ndjeshmërinë ndaj sëmundjeve të zakonshme.
Kocka të dobëta: Proteina luan një rol kyç në përthithjen e kalçiumit, dhe mungesa e saj mund të ndikojë në forcën e kockave dhe të shkaktojë osteoporozë.
Ushqime të pasura me proteina
Për të rritur sasinë e proteinave në dietë, është e rekomandueshme të konsumoni ushqime si farat e linit, chia, arrorët dhe bajamet. Gjithashtu, bishtajoret, mishi i bagëtive të ushqyera me bar, vezët dhe peshqit e thellësive janë burime të shkëlqyera proteine që mund të përfshini në vaktet tuaja ditore./TAR
Top Channel