Brenda shtëpisë që hapet pas 80 vjetësh/ “Ishte prind i dashur, na puthte në darkë”, rrëfimi i vajzës së shefit të Auschwitz-it: Nuk e dinim kush ishte në të vërtetë puna e tij

28/01/2025 07:33

Magnus Linklater- The Times/ Lart në papafingo, fëmijët luanin, të pavetëdijshëm për rolin e babait të tyre.

Për ta, ai ishte një prind i dashur, i cili i shikonte duke notuar në pishinën e vogël në oborrin e pasmë, bashkohej me ta për darkë dhe i puthte duke u thënë ‘natën e mirë’.

Megjithatë, puna e tij ishte vrasje masive. Ai ishte komandanti i kampit të përqendrimit në Auschwitz dhe emri i tij ishte Rudolf Höss.

Sot (dje), personalitete nga mbarë bota do të mblidhen në Auschwitz për të shënuar 80-vjetorin e çlirimit të tij nga trupat ruse më 27 janar 1945. Ata do të kenë mundësinë, për herë të parë, të shohin brenda shtëpisë së komandantit, të ngjisin shkallët deri në papafingo, dhe pastaj të zbresin, nëse kanë guxim, në bunkerët e zymtë poshtë saj, të cilët, në kohën e Höss-it, hapeshin në kompleksin ku mbaheshin të burgosurit e uritur, dhomat e gazit ku vdisnin dhe uzina e incinerimit ku trupat e tyre zhdukeshin.

Të dielën, rastësisht, isha ndër gazetarët e parë të lejuar të hynin brenda shtëpisë që nga momenti kur ajo u mor nga Projekti Ndërkombëtar Kundër Ekstremizmit, i drejtuar nga Mark Wallace, ish-ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara.

Duke u kthyer nga Ukraina me mikun tim David Fox-Pitt, themelues i bamirësisë skoceze HopeFull, vendosëm të ndalonim në qytetin polak të Krakovës dhe të vizitonim kampin, por zbuluam se i gjithë kompleksi ishte mbyllur për arsye sigurie në prag të përvjetorit.

Ndërsa ecëm rreth gardhit të perimetrit, kaluam pranë shtëpisë së komandantit — Nr. 88, Rruga Legionow — dhe u gjendëm të ftuar brenda për të takuar vetë ambasadorin.

“Besoni ose jo, ju jeni personi i parë me të cilin kam folur që hyri këtu thjesht sepse ishte e hapur”, tha Wallace.

“Dhe kjo, si pikënisje, është jashtëzakonisht e rëndësishme. Kjo shtëpi ka qenë e mbyllur për 80 vite për njerëzimin. Kujtoni shpirtrat e shkretë që u marshuan drejt Dhomës së Gazit Nr. 1 dhe Krematoriumit Nr. 1, vetëm sa një fushë futbolli larg. Ata gjithmonë e shihnin këtë shtëpi të zakonshme, një parajsë për banorët e saj, por gjithmonë përtej mundësive të tyre. Ajo nuk është hapur kurrë që nga ajo kohë, përfshirë edhe 80 vitet e fundit”, tha ai.

Gjatë asaj kohe, shtëpia ishte e banuar nga pronarë privatë, të cilët jetuan atje, dukshëm të pashqetësuar nga lidhjet e saj të zymta apo nga fakti që vetë Höss u soll përsëri për t’u ekzekutuar pikërisht përballë shtëpisë Nr. 88, në prill të vitit 1947. Tani, Wallace dëshiron ta shndërrojë atë në një qendër ku ekstremizmi racial mund të luftohet. Në partneritet me Unesco-n, muzeun e Auschwitz-it dhe qeverinë polake, ai ka themeluar Qendrën Kërkimore të Auschwitz-it mbi Urrejtjen, Ekstremizmin dhe Radikalizimin (Archer), ku racizmi mund të kundërshtohet brenda një vendi nga i cili dikur u praktikua gjenocidi.

“Është e rëndësishme të nderojmë viktimat, të mbijetuarit dhe familjet e tyre, dhe t’u themi, ‘Kjo shtëpi ka qenë e mbyllur për 80 vite, por tani është e hapur për të gjithë’, dhe kjo është pika e fillimit”, na tha ai.

Nuk mund të mohohet se shtëpia Nr. 88 është një vend që ngjall frikë. Edhe pse e zhveshur deri në muret e saj, ajo ende përcjell të kaluarën e saj të tmerrshme. Megjithëse ka qenë në pronësi private për kaq shumë kohë, studiuesit kanë gjetur disa artefakte që datojnë nga epoka e Höss-it — disa shishe, filxhanë dhe pjata, dhe, të fshehura në një vrimë në çati, një palë pantallona që dikur i përkisnin një të burgosuri hebre. Ka plane për të kryer testime të ADN-së për të zbuluar identitetin e pronarit të tyre.

Në bodrum ndodhet një lavaman, ku rrobat e familjes mund të jenë larë, dhe nga kati i parë, në një ditë të qetë dhe të bukur, mundëm të shikonim ndërtesat ku të burgosurit hebrenj mbaheshin në kushte brutale, përpara se të zhvesheshin, të rruheshin dhe të drejtoheshin drejt shpateve ku do të përballeshin me vdekjen, ndërsa tabletat me gazin Zyklon B aktivizoheshin.

Papafingoja ku flinin fëmijët tani është bosh, por nga dritaret e saj ata do të kishin parë oxhakun e krematoriumit, i cili herë pas here nxirrte tym të zi. A e pyesnin ndonjëherë veten çfarë duhej djegur kaq shpesh?

Mes vizitorëve të djeshëm ishte edhe Thomas Harding, xhaxhai i madh i të cilit, Hanns Alexander, një kapiten në Ushtrinë Britanike, e gjurmoi Höss-in pasi ai ishte arratisur. Höss u gjykua dhe u ekzekutua në Poloni në vitin 1947.

Pas viteve të kërkimeve mbi historinë e Höss-it, Harding më në fund e bindi vajzën e tij, Brigitte, atëherë 88 vjeç, të fliste me të. Ajo e kujtonte të atin me dashuri.

“Ai ishte një baba i mrekullueshëm”, i tha ajo Harding-ut.

“Të dielave ai tymoste një puro nëpër të gjithë shtëpinë. Ne hanim mëngjes, drekë ose darkë, si një familje e këndshme… nuk dinim as se çfarë ishte në të vërtetë puna e tij”, rrëfente ajo.

Ajo e kishte pothuajse të pamundur të përballej me realitetin e rolit të babait të saj.

“Ishte dikush mbi të, që e detyronte ta bënte këtë”, ishte maksimumi që mund të thoshte.

Arkitekti Daniel Libeskind është ngarkuar për ta përshtatur shtëpinë si një vend ku publiku do të mirëpritet, dhe një piano është sjellë brenda.

Ne dëgjonim të magjepsur ndërsa pianisti italian, Francesco Lotoro, i cili ka gjurmuar një pjesë të madhe të muzikës së interpretuar nga të burgosurit e kampeve të vdekjes, luante një ninullë të kompozuar nga Adam Kopycinski, dirigjent i orkestrës së Auschwitz-it.

Kopycinski dhe muzikantët ishin të gjithë të burgosur. Vetëm pak prej tyre arritën të dilnin gjallë nga kampi. Por muzika mbijeton.

 

FOTO GALERI
1/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA