Presidenti Trump: Jordania dhe Egjipti të pranojnë palestinezët nga Gaza

26/01/2025 21:30

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump tha se Jordania dhe Egjipti duhet të pranojnë palestinezët nga Gaza e shkatërruar nga lufta, një sugjerim që u hodh poshtë nga Hamasi, grupi militant palestinez që drejton rajonin dhe u duk se u kundërshtua nga ministri i Jashtëm jordanez.

I pyetur nëse kjo ishte një zgjidhje e përkohshme apo afatgjatë për Gazën, ku sulmi ushtarak i Izraelit ka shkaktuar një situatë të rëndë humanitare dhe vdekjen e dhjetëra mijëra personave, zoti Trump tha të shtunë se: “mund të jetë secila prej këtyre mundësive”.

Jordania është tashmë ‘shtëpia’ e disa milionë palestinezëve, ndërsa dhjetëra mijëra të tjerë jetojnë në Egjipt. Të dyja vendet dhe kombet e tjera arabe e kundërshtojnë idenë që palestinezët në Gazë të zhvendosen në shtetet e tyre. Gaza është territor që palestinezët do ta dëshironin si pjesë të një shteti të ardhshëm palestinez.

Ministri izraelit i Financave Bezalel Smotrich, i cili ka bërë thirrje në mënyrë të përsëritur për kthimin e kolonëve hebrenj në Gazë, e përshëndeti thirrjen e zotit Trump duke e cilësuar “një ide të shkëlqyer” dhe tha se ai do të punojë për të hartuar një plan për zbatimin e saj.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka hedhur poshtë vazhdimisht nocione të tilla, të mbrojtura nga zoti Smotrich.

Një zyrtar i Hamasit nënvizoi frikën e kahershme të palestinezëve se do të dëboheshin përgjithmonë nga shtëpitë e tyre.

Palestinezët “nuk do të pranojnë asnjë ofertë apo zgjidhje, edhe nëse duket se kanë qëllime të mira nën maskën e rindërtimit, siç njoftohet në propozimet e Presidentit të Shteteve të Bashkuara Trump”, tha për agjencinë e lajmeve Reuters, Basem Naim, një anëtar i byrosë politike të Hamasit.

Jordania u duk gjithashtu se hodhi poshtë sugjerimin e zotit Trump, ndërsa ministri i Jashtëm Ayman Safadi u tha gazetarëve se qëndrimi i vendit kundër çdo zhvendosjeje të palestinezëve nga Gaza mbetet “i vendosur dhe i palëkundur”.

Egjipti ende nuk ka komentuar, por ka thënë në shumë raste se kundërshton zhvendosjen e palestinezëve.

Popullsia në Gazë para fillimit të luftës Izrael-Hamas ishte rreth 2.3 milionë banorë./Voa

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA