Thirrjet për të ndaluar mbajtjen e maskës në publik po nxisin debate në qytetin e Nju Jorkut.
Përkrahësit thonë se një vendim i tillë mund të ndikojë për të frenuar krimin në sistemin e metrosë, ndërsa kritikët argumetojnë se kjo masë rrezikon liritë civile. Korrespodenti i Zërit të Amerikës Aron Ranen sjell më shumë hollësi mbi këto qëndrime.
Kjo është një pasdite e zakontë në sistemin e metrosë së Nju Jorkut, ku çdo ditë miliona njerëz përdorin trenat për të lëvizur nëpër qytet.
Sipas një artikulli të gazetës “New York Times”, numri total i krimeve në metro është ulur, por incidentet si sulmet, apo vrasjet janë rritur që nga viti 2019.
Të dyshuarit shpesh përdorin maska për të fshehur identitetin e tyre kur kryejnë krime, duke shtuar shqetësimet e njujorkezëve për sigurinë.
“Maska i bën ata të paidentifikueshëm dhe ky anonimitet në fakt rrit guximin e tyre për të kryer krime. Ata mendojnë se nëse kanë një maskë, do të jetë më e vështirë që të kapen”, shprehet Felipe Rodriguez, ish hetues në Departamentin e Policisë së Nju Jorkut.
Disa politikanë lokalë po nxisin masa më të ashpra. Në gusht, zona “Nassau” e qytetit të Nju Jorkut, i ndaloi njerëzit të fshihnin fytyrën në publik. Kreu i kësaj njësie Bruce Blakeman, i cili udhëhoqi përpjekjet për një masë të tillë, firmosi vendimin.
“Ka shumë raste kur kriminelët përdornin maska për të fshehur identitetin e tyre, kemi patur situata që ata kanë vjedhur dyqane dhe kanë kryer krime të tjera. Ka raste përjashtimore për mbajtjen e maskës, si shëndetësore, ose fetare, por përveç tyre, nuk ka asnjë arsye të fortë për të mbajtur maskë në publik”, shprehet zoti Blakeman.
Eksperti i së drejtës kushtetuese Ilya Shapiro nga Instituti ‘Manhattan’ bie dakord se ndalimi i maskave mund të jetë një mjet i fuqishëm në luftën ndaj krimit.
“Njësoj siç ishte një mjet kundër grupit Ku Klux Klan, ndalimi i maskave mund të jetë një mjet për kriminelët dhe terroristët e kësaj periudhe, pavarësisht nëse bëhet fjalë për milici të krahut të djathtë, apo kriminelë dhe gangsterë”.
Por mbrojtësit e të drejtave civile paralajmërojnë se ndalimi i maskave mund shkelë liritë individuale.
“Sa herë që qeveria dikton se çfarë mund dhe nuk mund të bëjë një person në një hapësirë publike dhe kriminalizon mbajtjen e një veshjeje të caktuar, ka një problem kushtetues. Dhe kjo ngre një sërë shqetësimesh për tejkalim të autoritetit të qeverisë në jetën e njerëzve”, thotë Beth Haroules nga Unioni i të Drejtave Civile në Nju Jork.
Ndërkohë, njujorkezët janë të ndarë nëse fshehja e fytyrës duhet të shtrihet në sistemin e metrosë së qytetit. Disa argumentojnë se është e nevojshme për të frenuar kriminelët, ndërsa të tjerë druhen se është një masë e tepërt.
“Nuk mendoj se duhet të ketë një ndalim të maskave. Unë mendoj se njerëzit duhet të zgjedhin vetë se çfarë duan të bëjnë”, thotë Brittany Atkinson banore e Nju Jorkut.
“Nëse nuk keni një arsye mjekësore për të mbajtur maskë, nuk duhet ta mbani fare. Ka njerëz që po i përdorin për të kryer krime, për të fshehur identitetin e tyre dhe në fakt po shkaktojnë trazira në qytet”, shprehet Daniel Sanchez, banor i Nju Jorkut.
Ndërsa debati vazhdon, njujorkezët përballen me sfidën për të gjetur një ekuilibër mes sigurisë dhe lirive individuale, në një nga sistemet më të ngarkuara të metrosë në botë./Voa
Top Channel