Olimpiada Shqipëri-Kosovë/ Marrin pjesë nxënësit e klasave të 9-të, konkurrojnë për gjuhën shqipe

23/01/2025 19:49

Nxënësit e klasave të 9 në Shqipëri dhe Kosovë për herë të parë do të konkurrojnë në një olimpiadë të përbashkët të gjuhës shqipe.

Top Channel mëson se ministritë e arsimit të dy shteteve janë dakordësuar për organizimin e olimpiadës, teksa kanë firmosur urdhrin me datat, oraret dhe vendet e zhvillimit të 4 fazave.

Si fillim, nxënësit do të testohen në nivel shkolle në mjediset e institucioneve arsimore më 11 mars, ku kusht për pjesëmarrjen është pasja e notës 8 në lëndën e gjuhës shqipe në Shqipëri dhe nota 3 në Kosovë, e prej tyre do të përzgjidhen sipas rezultateve më të mirët nëse kanë fituar mbi 85% të pikëve totale të testit.

Më tej përballja do të kalojë në nivel zyrash arsimore më 20 mars; ndërsa faza e tretë do të realizohet 7 ditë pas në nivel shteti.

Por cilët do të jenë fitimtarët e olimpiadës, shqiptar të Kosovës apo të Shqipërisë?

Finalja e olimpiadës së përbashkët pritet të zhvillohet në Tiranë në nivel ndërshtetëror më 10 prill, ku ata që janë kualifikuar në fazat e mëparshme si absolutët e gjuhës shqipe në Kosovë dhe Shqipëri, do të konkurrojnë me njëri tjetrin për vendin e parë.

Testi do të hartohet nga një grup i përbashkët mes dy shteteve.  Koha në dispozicion për secilën fazë do të jetë  dy orë për pyetje me një vështirësi më të lartë se ajo që bëjnë në lëndën e gjuhës shqipe në shkollë.

Ndërsa në përfundim të përballjes ndërshtetërore do të shpallen rezultatet, teksa do të organizohet po në Shqipëri një ceremoni për shpërndarjen e certifikatave të nxënësve më të mirë fitues.

Shpenzimet financiare për hartuesit dhe vlerësuesit e testeve në tre faza do të jenë në faturën e përbashkët të ministreve të arsimit, ndërsa faza e fundit do të mbulohet nga pala pritëse, që është përcaktuar në këtë rast Shqipëria.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA