Presidenti Donald Trump ka ndërprerë masën mbrojtëse të ish-këshilltarit të tij të sigurisë kombëtare, John Bolton.
Pak orë pasi mori detyrën, Presidenti Donald Trump ka ndërprerë masën e sigurisë nga Shërbimi Sekret i SHBA-së që i ishte caktuar ish-këshilltarit të tij për sigurinë kombëtare, John Bolton, sipas CNN.
Bolton, i cili u largua nga Shtëpia e Bardhë në nëntor të vitit 2019, ka kërkuar mbrojtje të vazhdueshme të Shërbimit Sekret të SHBA për shkak të kërcënimeve kundër tij nga Irani. Trump fillimisht e ndërpreu masën mbrojtëse për të pasi u largua nga administrata e tij në mandatin e parë, por Presidenti Joe Biden e rivendosi atë pasi mori detyrën.
“Jam i zhgënjyer, por jo i befasuar që Presidenti Trump ka marrë këtë vendim. Pavarësisht kritikave të mia ndaj politikave të sigurisë kombëtare të Presidentit Biden, ai mori vendimin që të rikthente edhe një herë mbrojtjen e Shërbimit Sekret për mua në vitin 2021”, tha Bolton.
“Departamenti i Drejtësisë ngriti padi penale kundër një zyrtari të Gardës Revolucionare iraniane në vitin 2022 për përpjekjen për të punësuar një vrasës për të më shënjestruar mua. Ky kërcënim ekziston edhe sot, siç tregohet edhe nga arrestimi i fundit i personit që u përpoq të organizonte vrasjen e vetë Presidentit Trump. Populli amerikan mund të gjykojë vetë se cili president mori vendimin e duhur”, shtoi Bolton.
Në gusht 2022, Departamenti i Drejtësisë akuzoi një shtetas iranian, anëtar të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, për përpjekje për të organizuar vrasjen e John Bolton.
Të hënën, si një nga aktet e tij të para në detyrë, Trump revokoi certifikatën e sigurisë së tij, një prej shumë ish-zyrtarëve të Sigurisë Kombëtare që humbën masat mbrojtëse të tyre me një firmë nga Presidentit Trump ditën parë të detyrës.
Top Channel