Deri më 15 maj ndalohet në Durrës qarkullimi i automjeteve të transportit të përzier, cilat përfshihen në listë

21/01/2025 14:11

Nga data 15 janar deri më 15 maj 2025, në disa nga rrugët kryesore të qytetit të Durrësit do të ndalohet qarkullimi i automjeteve të transportit të përzier (ATP) në intervalet orare 07:00-09:00 dhe 16:00-18:00, nga e hëna deri të premten.

Gjithashtu, automjetet e tonazhit të rëndë (ATV) me peshë mbi 6.5 ton do të jenë të detyruara të ndjekin një itinerar të caktuar nga bashkia.

Ky urdhër, i lëshuar nga Policia Bashkiake Durrës, ka për qëllim lehtësimin e trafikut të rënduar në oraret e pikut.

njalistika përkatëse është vendosur tashmë në të gjitha akset kryesore hyrëse dhe dalëse të qytetit, duke paralajmëruar drejtuesit e mjeteve.

Duke filluar nga e hëna, 20 janar, shkelësit e këtij urdhri do të ndëshkohen me masa administrative, sipas parashikimeve të Kodit Rrugor.

Rrugët e përfshira në këtë masë përfshijnë: rrugët “Adria”, “Stefan Kaçulini”, “Glaukia”, “Hysen Kërtusha”, “Aleksandër Goga” (nga Drejtoria e Policisë deri te Prefektura), “Dëshmorëve”, bulevardin “Epidamn”, “Egnatia”, “Taulantia”, “Currilave”, “Mars 91”, si dhe të gjitha segmentet rrugore brenda unazës së përcaktuar në hartë.

“Policia Bashkiake u kërkon të gjitha subjekteve tregtare që të respektojnë oraret dhe sinjalistikën për furnizimin e mallrave, duke bashkëpunuar për zbatimin e këtij urdhri administrativ që synon të rregullojë trafikun në qytet.”

Nga ky ndalim përjashtohen mjetet e policisë, emergjencave, zjarrfikësve, ndërmarrjeve të shërbimeve komunale të Durrësit dhe Plazhit, Agjencisë së Parqeve Urbane, Ndërmarrjes Rruga dhe mjetet e transportit publik.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA