Armëpushimi Hamas-Izrael, kryeministri i Katarit: Shpresoj që Gaza të qeveriset nga Autoriteti Palestinez

21/01/2025 21:39

Kryeministri i Katarit shpreson që Autoriteti Palestinez do të kthehet në Gaza për të qeverisur, pasi të përfundojë lufta midis Izraelit dhe Hamasit.

Duke folur në takimin vjetor të Forumit Ekonomik Botëror në Zvicër, dy ditë pas fillimit të armëpushimit, kryeministri i Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani tha se njerëzit e Gazës duhet të diktojnë se kush do i qeverisë dhe jo dikush tjetër.

“Shpresojmë të shohim Autoritetin Palestinez përsëri në Gaza, një qeveri që do të trajtojë realisht problemet e njerëzve. Rruga për rindërtimin e Gazës është e gjatë”, tha ai.

Sulmi i Hamasit në Izraelin jugor më 7 tetor 2023 shkaktoi luftën 15-mujore të shtetit hebre kundër lëvizjes islamike palestineze që sundon Rripin e Gazës.

Marrëveshja midis Izraelit dhe Hamasit për një armëpushim dhe lirimin e pengjeve u ndërmjetësua nga Katari, Egjipti dhe SHBA javën e kaluar.

Izraeli ka refuzuar që Hamasi të ketë rol qeverisës në Gaza pas luftës, por është po aq kundër qeverisjes nga Autoriteti Palestinez, një organ i krijuar pas Marrëveshjes së Paqes së Oslos të vitit 1993.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA