Si bëhet kalimi i pushtetit nga Biden te Trump? “Shtëpia e Bardhë” ndryshon faqe në vetëm 6 orë. Angazhohen 100 punonjës

20/01/2025 13:26

Kur Donald Trump të betohet si presidenti i 47-të i vendit, në Shtëpinë e Bardhë do të nisë me shpejtësi puna që brenda 6 orësh, nga rezidenca ekzekutive të hiqen të gjitha sendet personale të Presidentit në largim Joe Biden dhe familjes së tij, dhe ajo të shndërrohet në shtëpinë e ardhshme 4 vjeçare të presidentit të sapo betuar.

Në momentin që Joe Biden largohet nga Zyra Ovale për herë të fundit dhe që siç shpjegon VOA zakonisht në mëngjesin e ditës së inaugurimit – punonjësit e Shtëpisë së Bardhë hidhen në veprim. Zyra e mirënjohur duhet të riorganizohet, sipas shijeve të presidentit të ardhshëm. Biden ndryshoi tapetin dhe disa karrige në vitin 2017, pasi mori drejtimin nga Donald Trump-i – që është pararendësi dhe pasardhësi i tij, megjithatë duket se kolltukët dhe perdet kanë mbetur të njëjtat. Familja e presidentit jeton në katin e dytë dhe të tretë të Shtëpisë së Bardhë. Përpara ditës së zhvendosjes, presidenti i ardhshëm dhe zonja e parë përzgjedhin mobilet dhe veprat e artit që dëshirojnë nga koleksioni i Shtëpisë së Bardhë.

Në kohën kur presidenti i ri mbërrin në shtëpi në Ditën e Inaugurimit, i gjen të vendosura mobilet, së bashku me fotot personale. “Kur hyjnë presidenti i ri dhe zonja e parë, ata gjejnë shampon e tyre të preferuar në dush. Kanë furçën e dhëmbëve, pastën e dhëmbëve, rrobat e tyre të varura në dollap”, pohon Kate Andersen Brower, autore e librit “Rezidenca” (“The Residence”).Gjithçka ndodh në më pak se gjashtë orë dhe për këtë angazhohen rreth njëqind punonjës të Shtëpisë së Bardhë. Shumë nga personeli i rezidencës së Shtëpisë së Bardhë punuan për Donald Trump-in gjatë mandatit të tij të parë nga janari 2017 deri në janar 2021.

Nga sa rrëfen Brower, atyre u pëlqente Trumpi i cili është mësuar të ketë njerëz përreth që i shërbejnë, e madje u jepte bakshish në para të thata, me kartëmonedha 20-ëshe dhe 50-ëshe dhe punonjësit e vlerësojnë, pasi ata nuk janë përsona politikë por u intereson vetëm se si i trajton presidenti.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA