Ben Gvir, ministri izraelit që dha dorëheqjen para se armëpushimi të hynte në fuqi ka kërkuar që pjesa tjetër e pengjeve të lirohen me forcë.
Itamar Ben Gvir përshëndeti lirimin e Romi Gonen, Emily Damari dhe Doron Steinbrecher, por e krahasoi marrëveshjen që siguroi lirinë e tyre me një “dorëzim”.
“Romi, Doron dhe Emily, jemi të lumtur dhe të emocionuar me kthimin tuaj. Ne mezi presim kthimin e pengjeve të mbetura, përmes përdorimit të forcës, ndalimit të furnizimeve me karburant, ndalimit të ndihmës humanitare dhe jo përmes dorëzimit”, shkroi Ben Gvir në X.
Ben Gvir dha dorëheqjen nga qeveria e kryeministrit Benjamin Netanyahu sot, së bashku me dy ministra të tjerë nga partia e ekstremit të djathtë “Fuqia Hebraike”. Lëvizja pritet të dobësojë koalicionin e Netanyahut, por jo domosdoshmërisht deri në kolaps.
Më vete, Bezalel Smotrich, ministri i financave i partisë së ekstremit të djathtë të Izraelit, tha se ishte “i mbushur me gëzim” për kthimin e tre pengjeve, pavarësisht se kundërshtoi gjithashtu marrëveshjen që i solli ata në shtëpi. Ashtu si Ben Gvir, Smotrich ka argumentuar për muaj të tërë kundër çdo ndërprerjeje të armiqësive me Hamasin në Gaza.
Smotrich nuk ka dhënë dorëheqjen për marrëveshjen, por ka kërcënuar ta bëjë këtë nëse Izraeli nuk rifillon luftimet pas përfundimit të fazës së parë të armëpushimit.
Top Channel