Hovi turistik që ka përfshirë Shqipërinë, do të vijojë edhe këtë vit.
Interesi për të vizituar vendin tonë është i lartë dhe gjeografikisht harta e vizitorëve po përfshin gjithnjë e më shumë vende. Një tjetër treg i huaj do ti shtohet Shqipërisë që nga muaji mars.
“Këtë vit Shqipërisë do ti shtohet një treg i ri, tregu izraelian. Izraelitët do të vijnë në mënyrë të organizuar dhe që nga data 30 mars fillojnë dy linja qe ofrojnë charter 6 ditë në javë. Tashmë kemi një kërkesë të madhe nga ky treg”, tha Rrahman Kasa, Unioni Turistik Shqiptar.
2024 që lamë pas shënoi një rritje të numrit të vizitorëve prej 15% në krahasim me vitin paraardhës. Rritja këtë vit pritet më e madhe si për turistët individual ashtu dhe për ata që vijnë me grupe të organizuar.
“Prej shumë vitesh kam konstatuar se shkojnë paralel. Një rritje e tregut individual me atë të organizuar shkojnë paralel. Kemi parashikuar një rritje 20-25% për vitin qe sapo filloi”, tha Kasa.
Por ama vendi ynë vijon të përballet me disa probleme sa i përket turizmit. Një ndër to është mungesa e fuqisë punëtore, ndaj si zgjidhje është parë sigurimi i punëtorëve nga jashtë.
“Ne jemi duke punuar me disa vende për të siguruar fuqinë punëtore nga jashtë sepse është e vetmja zgjidhje. Nga vende që kanë një eksperiencë në turizëm, siç është Tajlanda, Filipinet dhe jemi në kontakte të vazhdueshme”, tha Kasa.
Ndër faktorët që kanë ndikuar në rritjen e numrit të vizitorëve vit pas viti janë shtimi i linjave direkte, evidentim si destinacion i paeksploruar por edhe rritja e standardeve në turizëm.
“Normalisht me kohën ka ardhur rritja e standarteve, pavarësisht se kemi nevojë akoma për përmirësime, por kemi rritje të standarteve dhe kjo nuk mohohet dot”, tha Kasa.
Top Channel