Presidenti francez viziton kreun e ri të Libanit, Macron: Ushtria izraelite duhet të tërhiqet plotësisht

17/01/2025 20:29

Presidenti francez, Emmanuel Macron i ka kërkuar Izraelit të tërheqë plotësisht forcat e tij nga Libani.

Macron është lideri i parë i huaj që viziton Libanin që kur u zgjodh president i ri, Joseph Aoun.

Një armëpushim i ndërmjetësuar nga Franca dhe SHBA ka qenë në fuqi në vend që nga 27 nëntori, duke i dhënë fund luftimeve midis grupit militant Hezbollah dhe Izraelit.

Si pjesë e kësaj marrëveshjeje, forcat izraelite duhet të tërhiqen nga Libani jugor brenda 60 ditëve, ndërsa Hezbollahu duhet të largojë të gjithë luftëtarët dhe armët e tij nga jugu, kryesisht përgjatë lumit Litani.

Macron gjatë vizitës së tij i ka bërë thirrje Izraelit të përshpejtojë tërheqjen e trupave të tij.

“Ushtria izraelite duhet të tërhiqet plotësisht nga Libani” tha ai, duke folur në Bejrut përkrah presidentit të ri, Joseph Aoun, i cili komandonte ushtrinë libaneze,  derisa parlamenti e zgjodhi atë si kreun e shtetit më 9 janar. Theksojmë se ushtria libaneze nuk ka asnjë lidhje me Hezbollahun.

“Ne mbështesim fuqinë e shtuar të forcave të armatosura libaneze dhe vendosjen e tyre në jug. Ushtria libaneze përbën një shtyllë të sovranitetit të Libanit.”, shtoi Macron.

Ai gjithashtu tha se ushtria libaneze duhet të ketë një monopol total mbi armët.

Top Channel