Sali Berisha ka komentuar sot shpalljen e dhëndrit të Donald Trump si investitor strategjik në vendin tonë, për një investim në ishullin e Sazanit.
“Prej të paktën që nga viti 2001 gjer sot, Sazani iu është ofruar biznesmenëve të huaj në mënyrë periodike. Kjo është oferta e radhës, të cilën pa diskutim Edi Rama e bëri për të blerë influenca politike.
Por, një ofertë e cila plotëson rregullat ligjore, ne kemi deklaruar se nuk kundërshtojmë ofertat që bazohen në respektimin e ligjeve dhe rregullave të vendit.
Pavarësisht, theksoj dhe njëherë, se Edi Rama e ka përdorur atë për qëllime politike, por kjo është në tagrin e shqiptarëve të bëjnë vlerësimin e tyre për këtë përdorim”, tha ai.
Komiteti i Investimeve Strategjike i dha statusin investitor strategjik kompanisë së lidhur me Jared Kushner për ndërtimin e një resorti turistik në ishullin e Sazanit.
Vendimi u mor më 30 dhjetor, duke pranuar propozimin e kompanisë “Atlantic Incubation Partners LLC”, ku sipas vendimit, në ishull parashikohet një investim prej 1.4 miliardë eurosh dhe ndërtimi parashikohet të shtrihet në 8 për qind të ishullit ose 45 hektarë.
“Vlera e investimit të projektit turistik “Resorti Turistik – Ishulli i Sazanit” i plotëson kriteret e parashikuara nga legjislacioni për investimet strategjike dhe parashikohet të jetë 1.4 miliardë Euro”, thuhet në vendim.
Top Channel