Apeli i GJKKO-së ka sqaruar disa nga arsyet e vendimit të marrë për rikthimin e masës detyrim paraqitje për Sali Berishën.
Në përgjigje të kërkesës së nisur nga gazetarja e Top Channel Anila Hoxha, zyra e shtypit pranë Gjykatës së Posaçme të Apelit sqaron disa nga arsyet e marrjes së këtij vendimi, ku deklaron se ndodhemi para zgjedhjeve dhe se Berisha është lider i opozitës dhe se i duhet dhënë mundësia kërkuesit që të respektojë detyrimet qe lidhet me masën e re të sigurimit “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”.
Beteja ligjore e Berishës me drejtësinë nisi në 30 dhjetor 2023 kur GJKKO dha masën detyrim paraqitje dhe bllokim të pasaportës për kreun e PD-së.
Ai nuk e njohu vendimin e gjykatës dhe vendosi të mos e zbatojë atë për t’u paraqitur para hetuesve dy herë në muaj. Në këto kushte Gjykata e rëndoi masën e tij të sigurisë nga detyrim paraqitje në arrest shtëpie.
Më pas ishte Kushtetuesja e cila u vu në lëvizje nga avokatët e Berishës që shfuqizoi masën e bllokimit të pasaportës dhe në fund Apeli vendosi pikërisht heqjen e arrestit të shtëpisë dhe kthimin e masës detyrim paraqitje. Këtë herë me ndryshimin që Berisha ka vendosur ta zbatojë.
“Lidhur me kushtet e veçanta për caktimin e masës së sigurimit personal, nga vendimmarrja e gjyqtarit të hetimeve paraprake nuk ka ndryshuar asgjë, dhe gjyqtari i seancës paraprake nuk ka sjellë ndonjë element të ri që tregon mungesën e kushteve të veçanta si rreziku i ikjes dhe rreziku i dëmtimit të provave.
Vendimi i gjyqtarit të hetimeve paraprake (lidhur me caktimin masës së sigurimit personal “Detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore”), i ka kaluar të tre shkallët e gjykimit madje dhe Gjykatën Kushtetuese dhe është konfirmuar.
Ndërkohë, masa e sigurimit “Arrest në shtëpi” është vendosur jo për shkak të shtimit të nevojave të sigurimit por për shkak të thyerjes së detyrimeve të masës së mëparshme të sigurimit, ajo e “Detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore”.
Kërkuesi z. S.B. e ka tentuar duke paraqitur edhe më parë pranë gjyqtarit të hetimeve paraprake, kërkesën për shuarjen e masës së sigurimit personal, ku e tillë kërkesë është rrezuar me vendim të konfirmuar në të tre shkallët e gjykimit.
Si rezultat, nuk ka vend për shuarjen e masës së sigurimit personal.
Gjyqtari i seancës paraprake në marrjen e vendimit të tij, thjesht ka bërë një rivlerësim të elementëve që janë marrë një herë në konsideratë nga gjyqtari i hetimeve paraprake, pa shtuar ndonjë element të ri, gjë e cila nuk i lejohet pasi përbën gjë të gjykuar.
2. Lidhur me zëvendësimin e masës së sigurimit personal nga ajo e “Arrest në shtëpi” në “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, duke marrë parasysh:
– faktin se kërkuesi kishte një vit me masën e sigurimit “Arrest në shtëpi”,
– faktin se moszbatimi i detyrimeve që lidheshin me masës e sigurimit “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore” bazoheshin mbi një alibi për antikushtetuetshmërinë e kësaj mase, të rrezuar tashme nga Gjykata Kushtetuese,
– moshën dhe rrethana e tjera që kanë qenë në konsideratë të gjyqtarit të hetimeve paraprake, por të vlerësuara tashmë në raport me këto rrethana të tjera,
– si dhe duke mbajtur në konsideratë faktin që jemi në periudhën para fushatës zgjedhore dhe kërkuesi është konsideruar edhe nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese si lideri i opozitës, ose kryetar i partisë kryesore opozitare,
u arrit në përfundimin që masa e sigurimit “Arrest në shtëpi” nuk ishte më e nevojshme.
Me anë të kësaj mase (“Arrest në shtëpi”) kërkuesi e ka shlyer në një farë mënyre pasojën e dhënë nga dispozitat ligjore për moszbatimin e masës së mëparshme të sigurimit “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, dhe për rrjedhojë kjo masë sigurimi duhej zëvendësuar, duke i’u dhënë edhe një herë mundësia kërkuesit që të respektojë detyrimet qe lidhet me masën e re të sigurimit “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”.
Ne rast se kërkuesi nuk do të zbatojë detyrimet që lidhen me masën e sigurimit “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, atëherë organi i akuzës do të ketë të drejtën të kërkojë serish zëvendësimin e kësaj mase sigurimi, me një masë sigurimi më të rëndë”, thuhet në këtë deklaratë.
Top Channel