Para betejës elektorale me kundërshtarin politik, demokratët i pret një garë e brendshme për te përzgjedhur kandidatët për deputet.
Por, në Partinë Demokratike nuk ka ende një datë se kur do te zhvillohen primaret duke i vënë në pikëpyetje ato.
“Akoma nuk është përcaktuar data, janë duke u diskutuar modalitetet. Ajo që është e rëndësishme është se çdo njeri, në forcën tonë politike dhe ne opozite duhet te shohë me shume përtej vetes”, tha Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka.
Primaret në Partinë Demokratike rrezikohen jo vetëm nga koha e pakët e mbetur, por edhe nga zërat skeptik te cilët mendojnë se një proces i tillë mund të prishë ekuilibrat e partisë në prag fushate, pasi plagët nga lufta e brendshme ende nuk janë shëruar. Flamur Noka pranon rrezikun, por beson se demokratët do dinë të hedhin pas krahëve inatet e së shkuarës.
“Bashkimi ka dhënë rezultatin e vet ka krijuar frymën dhe besimin por ka individë që akoma brenda përbrenda nesh mërite dhe inatet nuk i harrojnë kaq lehtë, por demokratët kanë një gjë. Synimi i tyre është te përballemi me regjimin dhe ta mundim atë”, shtoi deputeti Noka.
Primaret duket se nuk janë i vetmi shqetësim i demokratëve , të cilët në prag te zgjedhjeve parlamentare, duhet të gjejnë një formulë që kënaq të gjithë aleatët që kërkojnë një vend të sigurt në listën e PD. Dilema nuk ka për Ilir Metën, i cili edhe pse në burg, Sali Berisha ka një vend të sigurt për të.
Pjesë nga intervista:
Flamur Noka: Ilir Meta është aleati ynë kryesor, pa as me të voglin diskutim është i pari që do te konsiderohet kur të përfundojmë negociatën për te qen ne listën tonë.
Elda Menga: Në listë të sigurt Ilir meta ?
Flamu Noka: Pa as më të voglin diskutim.
Opozita ka vendosur të dalë me një listë të përbashkët në zgjedhjet e pranverës që udhëhiqet nga Partia Demokratike. Ilir Meta nuk e ka fshehur ambicien për të qenë në listën e Tiranës, por vende të sigurta pret edhe Fatmir Mediu dhe agrarët e Agron Dukës.
Numri dy i Partisë Demokratike konfirmoi se ndarja e aleatëve në listën e PD do bëhet sipas peshës elektorale që ata kanë pasur në zgjedhjet e shkuara.
Top Channel