Këshilltarët e Presidentit të zgjedhur Donald Trump tani pranojnë se lufta në Ukrainë do të zgjasë me muaj, ose ndoshta më gjatë, një përballje e ashpër me realitetin për premtimin e tij më të madh në politikën e jashtme – arritjen e një marrëveshjeje paqeje në ditën e parë të mandatit të tij si president.
Dy bashkëpunëtorë të Trump-it, të cilët kanë diskutuar për luftën në Ukrainë me presidentin e zgjedhur, i thanë “Reuters” se po shqyrtonin një afat kohor disa mujor për zgjidhjen e konfliktit, duke e përshkruar premtimin për Ditën e Parë si një kombinim të retorikës së fushatës dhe një mungese vlerësimi për vështirësitë e konfliktit dhe kohën që kërkon ndërtimi i një administrate të re.
Këto vlerësime përputhen me komentet e të dërguarit të ardhshëm të Trump-it për Rusinë dhe Ukrainën, gjeneralit në pension Keith Kellogg, i cili në një intervistë për “Fox News” javën e kaluar tha se do të dëshironte të kishte një “zgjidhje” për luftën brenda 100 ditësh, shumë përtej afatit fillestar të presidentit të zgjedhur.
Megjithatë, edhe afati i zgjatur i Kellogg-ut ishte “jashtëzakonisht optimist,” tha John Herbst, një ish-ambasador amerikan në Ukrainë që tani punon në think tank-un “Atlantic Council” në Uashington.
“Që kjo të funksionojë, Trump duhet ta bindë (Presidentin rus Vladimir) Putin se ka pasoja për të qenë i paepur,” tha Herbst.
Në prag të fitores së tij më 5 nëntor, Trump deklaroi dhjetëra herë se do të kishte një marrëveshje midis Ukrainës dhe Rusisë në ditën e parë të mandatit të tij, në mos më parë.
Megjithatë, në fund të tetorit, ai bëri një ndryshim të lehtë në retorikën e tij dhe filloi të thoshte se mund ta zgjidhte luftën “shumë shpejt.”
Që nga zgjedhjet, Trump e ka tërhequr më tej retorikën e tij, duke thënë shpesh se thjesht do ta “zgjidhte” konfliktin, pa ofruar një afat kohor. Ai gjithashtu ka deklaruar se përfundimi i luftës në Ukrainë do të jetë më i vështirë se arritja e një armëpushimi në Gaza.
“Mendoj se, në fakt, situata Rusi-Ukrainë do të jetë më e vështirë,” tha Trump kur u pyet për Gazën gjatë një konference për shtyp në dhjetor. “E shoh atë si më të vështirë.”
Top Channel