Për të ndihmuar maturantët me përgatitjen e tyre për provimet e maturës shtetërore, ka nisur shpërndarja nëpër shkolla e testeve model.
Ky proces i ndihmon maturantët edhe nga ana emocionale, pasi testimet kryhen njëjtë si në ditën e provimeve përfundimtare.
“Nëse do flasim për të gjithë përgatitjen e maturës shtetërore duhet të theksojmë që testet janë një pjesë e këtij procesi përgatitor. Testet provë janë një matës i informacionit të marrë nga nxënësit nga programet lëndore por njëkohësisht këto teste i përgatisin nxënësit edhe emocionalisht për të zhvilluar një provim mature”, thotë ekspertja e arsimit, Sanie Korini.
Sakaq një ndër problematikat e artikulura nga maturantët gjatë viteve të fundit, ka qenë ajo e përfshirjes në testim e materialeve që nuk kanë qenë pjesë e programit përgatitor. Ekspertët e arsimit janë të mendimit se në hartimin e tezave duhet treguar kujdes maksimal.
“Unë dua të shpresojë dhe urojë sivjet që profesionistë që do të merren me përgatitjen e testeve përfundimtare, të jenë shumë të kujdesshëm, sepse gjatë viteve ne kemi parë që në momentin e testeve përfundimtare futen materiale apo detaje që nuk janë përfshirë më parë në programet mësimore. Duhet të vendosen gjërat që janë më të rëndësishme dhe sipas rëndësisë së tyre ato duhet të preken me nivele të përshkallëzuara për nxënësit e të gjitha niveleve”, shtoi Korini.
Testet model përfshijnë lëndë duke filluar nga Gjuha-Shqipe dhe Letërsia, Matematika, Gjuhë të huaja, Biologji, Kimi, Qytetari e Psikologji. Po ashtu janë përfshirë teste model për drejtimet profesionale si Mbështetja e Përdoruesve TIK, Hoteleri-Turizmi si dhe Shkollat e Mesme Teknike.
Top Channel