Prokuroria e Tiranës ka goditur në rast evazioni fiskal, ku ka shpallur një kërkim administratorin e një biznesi pasi nuk deklaroi 3.7 milionë euro të ardhura.
Në kërkim për evazion fiskal është shpallur administratori i ‘Buzi Sport’, Oltion Buzi.
Pas një pune hetimore disa mujore thotë Prokuroria, u bë i mundur zbulimi dhe ndalimi i këtij evazioni fiskal të shkallës së gjerë nga subjekti tregtar ‘Buzi Sport’ si dhe u ekzekutua vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për kontrollin e vendeve të ushtrimit të aktivitetit nga ky subjekt.
Gjatë hetimit, u ushtruan kontrolle në 8 adresa të lidhura me subjektin ‘Buzi Sport’ dhe shoqërinë e fiskalizimit, ku u sekuestruan provat materiale që përfshijnë njësi kompjuterike, telefona celularë, tableta dhe vlera monetare në valuta të ndryshme që arrijnë në 8,000,000 lekë, të cilat nuk ishin të justifikuara me dokumentacion ligjor.
Hetimet treguan se ‘Buzi Sport’ përdorte një sistem kompjuterik të paautorizuar për monitorimin dhe lëshimin e faturave tatimore. Ky sistem, që operonte përmes platformës online të palicencuar “store.dyqanimen.com”, mundësonte lëshimin e faturave të falsifikuara, të cilat përmbanin mangësi të elementeve të kërkuara nga legjislacioni tatimor dhe ishin të pa fiskalizuara. Në disa raste, subjekti lëshonte fatura me vlera më të mëdha, ndërkohë që deklaronte një vlerë shumë më të vogël për qëllime tatimore, duke shmangur kështu pagesën e detyrimeve tatimore.
Top Channel