Endrit Braimllari tha për Top Channel se në zgjedhjet parlamentare të 11 majit do të donte të kontribuonte në Partinë Socialiste nëse do të krijoheshin hapësirat e nevojshme.
Pra jeni i hapur për të kaluar në PS?
“Nëse do të krijohen hapësirat e nevojshme unë do jap kontributin tim si i majtë që jam”, tha ai për Top Channel.
Pas kësaj deklarate, ka reaguar edhe zëdhënësja e ish-presidentit, Ilir Meta, Jasmira Memelli.
Në një postim në rrjetet sociale, ajo e quan Braimllarin “sufllaqexhi” të përdorur nga Rilindja.
Ajo shprehet se prej 1 viti e gjysmë nuk është më pjesë e asnjë strukture politike të PL dhe as anëtar i Partisë së Lirisë në Këshillin Bashkiak të Tiranës, për shkak të “firmave të tij të paligjshme dhe të pamoralshme, si dhe marrja peng nga SPAK, bashkë me të disa afërm të tij”.
Në lidhje me reagimin e Partisë së Lirisë, ai tha për Top Channel se nuk do të merret me të shkuarën dhe se sot më shumë se kurrë modeli që duhet të transmetojmë tek shoqëria është ai i pozitivitetit dhe jo gjuha e urrejtjes.
“Nuk kam asnjë koment dhe nuk dua të merrem me të shkuarën. Angazhimi im në politikë ka të bëjë me një gjuhë pozitive, paqësore në shërbim të qytetarëve. Sot më shumë se kurrë modeli që duhet të transmetojmë tek shoqëria është ai i pozitivitetit dhe jo gjuha e urrejtjes. E kam thënë dhe është një e drejtë e imja të zgjedh kahun të cilin do mbështes në zgjedhjet e ardhshme sepse për rreth 11 muaj unë nuk kam angazhim politik dhe këto muaj kanë shërbyer si moment reflektimi dhe ridimensionimi të rolit tim”, tha Braimllari.
Postimi i plotë i zëdhënëses Jasmira Memelli:
Një përgjigje për “sufllaqexhiun” e grupit kriminal të SPAK-ut: “21 Nëntori”! Për herë të dhjetë në pak ditë, bashkëpunëtori i regjimit dhe i SPAK-u nga 21 nëntori 2023, Endrit Brahimllari, ka shpallur largimin nga Partia e Lirisë. E vërteta është se ky “sufllaqexhi” ordiner, që gdhihej dhe ngrysej duke “u përbetuar” për besnikëri të përjetshme ndaj Ilir Metës, prej 1 viti e gjysmë nuk është më pjesë e asnjë strukture tone politike dhe as anëtar i Partisë së Lirisë në Këshillin Bashkiak të Tiranës.
Shkak janë firmat e tij të paligjshme dhe të pamoralshme, si dhe marrja peng nga SPAK, bashkë me të disa afërm të tij. I kapur peng për shkak të firmave dhe veprimeve të papërgjegjshme, të parregullta dhe të pamoralshme, dhe tanimë i korruptuar deri në fyt, ky “sufllaqexhi” ordiner nga “zëri i qytetarëve” është kthyer në “një kërmill lëpirës”, në pritje për t’u kthyer në një përfitues të rëndomtë të zhvatjes së taksave të qytetarëve, a thua se “Rilindjes” nuk i mjaftojnë “sufllaqexhinjtë” e saj.
Nga një “besnik i jashtëzakonshëm” i Ilir Metës, Endrit sufllaqja tanimë është konvertuar edhe në një diversionit të ndyrë të SPAK-ut dhe të regjimit, që në bashkëpunim me të tjerë, prej një viti ka punuar kundër Partisë së Lirisë, i keqpërdorur në ekstrem nga “Rilindja” dhe Altin Dumani, siç po e dëshmon edhe vetë me zë e figurë.Duke i uruar biznesmenit më të ri Endrit Brahimllari, bashkëjetesë të suksesshme me “Prindin 1” dhe “Prindin 2”, dhe sa më shumë të ardhura në biznesin e ri fitimprurës që ka hapur me lekët që ka vjedhur, i kujtojmë se ka për detyrim të paraqitet sa më parë pranë Partisë së Lirisë dhe të japë sqarime për parregullistë me financat që na la trashëgim, si dhe të dorëzojë mandatin e Këshilltarit që nuk i përket atij.
Endriti e di shumë mirë që as në ëndrrat e tij më të bukura nuk e kishte parë të bëhej deputet dhe të kryesonte listën e këshilltarëve bashkiakë! Ndaj bën mirë të kthejë mandatin e të vazhdojë të lëpijë andej nga është nisur! Endrit të presim të na kthesh edhe financiaren, sepse kaq detyrim para Partisë së Lirisë e ke! Zyra e Financës është e hapur nga ora 08:00, në pritje që të vish të japësh sqarime! PS: Foto e Endrit sufllaqes në biznesin e ri që ka hapur!
Top Channel