Top Channel ka siguruar pamjet, në të cilën duken anëtarët e dy bandave shqiptare në zonën Monastiraki të Athinës, duke u përleshur dhunshëm me njëri – tjetrin.

Në pamje, duken dy persona që goditen nga më shumë se 5 persona nga pala kundërshtare, edhe pse janë të neutralizuar dhe të shtrirë në tokë. Madje, njëri prej tyre nuk nguroi as të godasë me një shkop bejsbolli kundërshtarin, duke i shkaktuar dëmtime serioze në duar.

Çdo gjë ndodhi në sytë e dhjetëra kalimtarëve që po shëtisnin gjatë mbrëmjes në një prej zonave më turistike të Greqisë, në zonën Monastiraki.

Policia njoftoi se nuk mundi të ndalojë asnjë prej dhunuesve, ndërsa transportoi në spital dy prej tre personave të dhunuar.

Pikërisht në këtë zonë, bandat shqiptare kanë nisur një betejë se kush do të vjelë të ardhurat nga zhvatja e bizneseve në formë gjobe për t’i mbrojtur ato nga banda kundërshtare.

Vetë policia greke duket se është e pafuqishme për t’i ndaluar bandat, madje në disa raste vetë drejtues të lartë të policisë janë në krye të këtyre bandave, të ardhurat e të cilave vlerësohen në dhjetëra milionë euro në vit, ndërsa në luftën mes bandave shpesh janë armët e zjarrit ato që lajnë hesapet mes tyre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA