Dy ushtarë të plagosur të Koresë së Veriut janë kapur si robër lufte nga trupat ukrainase në rajonin Kursk të Rusisë, tha të shtunën Presidenti Volodymyr Zelensky.
Të dy ata po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore dhe janë në paraburgim të Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës (SBU) në Kiev, sipas Zelensky.
Presidenti tha se ai ishte mirënjohës ndaj parashutistëve ukrainas dhe ushtarëve nga Forcat e Operacionit Special për kapjen e koreano-veriorëve.
Ai shtoi: “Kjo nuk ishte një detyrë e lehtë. Ushtarët rusë dhe koreano-veriorë zakonisht ekzekutojnë koreano-veriorë të plagosur për të fshirë çdo provë të përfshirjes së Koresë së Veriut në luftën kundër Ukrainës”.
Shërbimi i inteligjencës ukrainase tha në një deklaratë se të burgosurit u kapën më 9 janar dhe menjëherë më pas iu sigurua i gjithë kujdesi i nevojshëm mjekësor siç përcaktohet nga Konventa e Gjenevës dhe u dërguan në Kiev.
“Ata po mbahen në kushte të përshtatshme që plotësojnë kërkesat e ligjit ndërkombëtar”, thuhet në deklaratën e shërbimit të inteligjencës.
Top Channel