Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden dhe Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky diskutuan të premten mbi mbështetjen e Uashingtonit për Kievin, sanksionet e reja të SHBA- së kundër Rusisë dhe forcimin e mbrojtjes ajrore të Ukrainës.
Në një postim në mediat sociale, Presidenti ukrainas falenderoi homologun Biden për mbështetjen e Uashingtonit në luftën gati trevjeçare të Ukrainës përballë Rusisë dhe për “rolin jetik që Shtetet e Bashkuara kanë luajtur në bashkimin e komunitetit ndërkombëtar”.
Zelensky tha se presidentët diskutuan gjithashtu mbi sanksionet e reja të Shteteve të Bashkuara kundër industrisë ruse të naftës dhe gazit natyror të lëngshëm “që ndihmon Putinin të financojë luftën”.
“Ai duhet të ndiejë koston e luftës”, shkroi presidenti ukrainas.
Zelensky tha se ai dhe Presidenti Biden diskutuan nevojën për të vazhduar forcimin e mbrojtjes ajrore të Ukrainës “për të mbrojtur ukrainasit nga terrori rus, sulmet e përditshme me raketa dhe dronë”.
Sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot, të furnizuara nga SHBA-të “kanë dëshmuar efektivitetin e tyre dhe ne duhet të vazhdojmë ta përmirësojmë këtë kapacitet”, theksoi zoti Zelensky.
Top Channel