Ashtu siç lajmëruan sinoptikanët e shërbimit ushtarak në Top Channel, këtë të shtunë në veri të vendit ka pasur reshje të dendura dëbore.

Në qarkun e Shkodrës, dëbora mbuloi zonat malore, ndërsa është punuar për të hapur kalimin e rrugëve kryesore. Ndërkohë që ka edhe disa zona ku ka mungesa të energjisë.

Situatë e ngjashme është edhe në qarqet e Kukësit dhe të Dibrës, ndërkohë që dëborë ka pasur edhe në zonat e thella në Elbasan e Korçë.

Bazuar në raportimet e agjencive shtetërore, të dielën priten reshje intensive, kryesisht në qarqet Vlorë, Gjirokastër, Dibër, Durrës, Tiranë dhe Korçë, si dhe reshje dëbore në zonat malore mbi 300 m. Reshjet mund të shoqërohen me shtrëngata dhe ulje temperaturash, duke krijuar mundësi për ngrica dhe vështirësi në transport.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile u kërkon strukturave vendore dhe qendrore të jenë në gatishmëri për çdo situatë dhe të marrin masa për menaxhimin e reshjeve. Qytetarëve u rekomandohet të tregojnë kujdes të shtuar në lëvizje dhe të ndjekin njoftimet zyrtare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA