Një sulm me raketa i forcave ruse në qytetin jugor të Ukrainës, Zaporizhia, vrau të paktën 13 persona të mërkurën dhe plagosi dhjetëra të tjerë, njoftuan autoritetet ukrainase.
Sulmi erdhi disa minuta pasi guvernatori rajonal Ivan Fedorov paralajmëroi se “raketat me shpejtësi të lartë” dhe “bombat rrëshqitëse” po lëviznin drejt rajonit të Zaporizhias.
Trupat e viktimave dhe të njerëzve të plagosur nga sulmi u gjendën përgjatë një rruge dhe zonave të asfaltuara pranë objekteve të dëmtuara të transportit publik. Mbetjet goditën një tramvaj dhe një autobus me pasagjerë, tha zyra e prokurorit të përgjithshëm të Ukrainës.
Në sulm u dëmtuan gjithashtu blloqe apartamentesh të larta, një objekt industrial dhe infrastruktura. Punonjësit e urgjencës po përpiqeshin të shpëtonin një burrë, ndërsa në sfond shiheshin flakët e furishme, tymi dhe makinat e djegura.
Forcat ruse përdorën dy raketa me vetëdrejtim për të goditur një zonë të banuar, u tha zoti Fedorov gazetarëve. Ai tha se të paktën katër nga të plagosurit u dërguan me urgjencë në spital në gjendje të rëndë. Fedorov tha se e enjtja do të ishte një ditë zie zyrtare.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha në rrjetin X: “Nuk ka asgjë më mizore sesa lëshimi i bombave nga ajri mbi një qytet, duke e ditur se do të vuajnë civilët e zakonshëm”.
Siç ka bërë shpesh, zoti Zelenskyy u bëri thirrje aleatëve perëndimorë të Ukrainës që të rrisin trysninë ndaj Rusisë.
Rusia bën rregullisht sulme ajrore në rajonin e Zaporizhias, që forcat e saj e kanë pjesërisht nën kontroll. Moska pretendon se e ka aneksuar rajonin ukrainas së bashku me katër të tjerë, përfshirë Krimenë, të cilën e mori në mënyrë të njëanshme në vitin 2014.
Më herët të mërkurën, ushtria ukrainase tha se goditi një depo magazinimi karburanti thellë brenda Rusisë, pranë Engels në rajonin e Saratovit, rreth 600 kilometra në lindje të kufirit ukrainas. Sulmi shkaktoi një zjarr të madh në objektin që furnizon një bazë të rëndësishme ajrore ruse.
Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës tha se: “Dëmtimi i bazës së naftës krijon probleme serioze logjistike për aviacionin strategjik të pushtuesve rusë dhe redukton ndjeshëm aftësinë e tyre për të goditur qytetet paqësore të Ukrainës dhe objektet civile. Do të vazhdojë”.
Zyrtarët rusë pranuan se ishte bërë një sulm i madh me dronë në zonë dhe thanë se autoritetet kishin ngritur një qendër emergjence për të luftuar zjarrin.
Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës tha se sulmi goditi depon që furnizonte një aeroport në afërsi, që përdoret nga avionët që lëshojnë raketa përtej kufirit me Ukrainën, thuhet në një deklaratë në Facebook.
Ukraina ka krijuar arsenalin e saj të raketave me rreze të gjatë veprimi dhe dronë të prodhuar në vend, të aftë për të arritur thellë përtej vijës së frontit, pasi përballet me kufizime në rrezen që ushtria e saj mund të përdorë raketat e furnizuara nga Perëndimi.
Presidenti Zelenskyy tha vitin e kaluar se vendi i tij ka prodhuar një armë që mund të godiste objektiva 700 kilometra larg. Disa sulme me dronë ukrainas kanë goditur objektiva më shumë se 1000 kilometra larg.
Ndërkohë të mërkurën, Sekretari amerikan i Shtetit në largim, Antony Blinken tha se një marrëveshje e ardhshme për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë do të duhet të ketë një mekanizëm parandalimi në mënyrë që Rusia të mos e sulmojë sërish Ukrainën.
Duke folur në Paris, sekretari Blinken paralajmëroi se Presidenti rus Vladimir Putin do të përpiqet të përdorë një armëpushim në Ukrainë për të fuqizuar forcat ruse dhe përfundimisht për ta sulmuar përsëri Ukrainën. /VOA
Top Channel