Zbardhen detaje nga dhunimi me sende të forta ndaj 48-vjeçarit në Tiranë, shpallet në kërkim biznesmeni “Tur Koçeku” dhe të afërmit e tij

07/01/2025 10:51

Policia e Tiranës mundi të zbardh  një incident të dhunshëm të ndodhur në një berberhane në kryeqytet dy ditë më parë.

Plagë të rënda nga sulmi mori 48 vjeçari, Adriatik Roshi. Për ngjarjen janë arrestuar dy persona Gani Koçeku, 24 vjeç dhe Ledio Tusha, 31 vjeç, ndërsa katër të tjerë janë shpallur në kërkim.

Ngjarja dyshohet se ka lidhje me sherrin në Palasë verën e vitit të shkuar, ku Luçiano Koçeku, biznesmen, u sulmua dhe u plagos rëndë në një lokal nate. Policia dyshon se rrahja e Roshit mund të jetë bërë për hakmarrje, pavarësisht se është ende e paqartë nëse 48 vjeçari ka qenë pjesë e sherrit të 24 gushtit 2024 në Palasë. Organizator i sulmit ndaj Roshit mësohet të jetë biznesmeni Koçeku.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 3, operacioni policor i koduar “Details”.

Identifikohen 6 shtetasit që goditën me sende të forta, një 48-vjeçar, në një berberhane, 2 ditë më parë. Vihen në pranga 2 prej tyre, punohet për kapjen e 4 të tjerëve.

Sekuestrohen 1 armë zjarri pistoletë dhe 1 armë gjahu, që i posedonin këta shtetas, 2 automjete dhe disa veshje që kanë mbajtur autorët gjatë ngjarjes.

Në vijim të veprimeve hetimore të kryera për zbardhjen e rrethanave të një konflikti të ndodhur më datë 05.01.2025, si pasojë e të cilit u dëmtua më sende të forta shtetasi A. R., 48 vjeç, i cili vijon të jetë në kujdesin e mjekëve, Komisariati i Policisë Nr. 3 ka finalizuar operacionin e koduar “Details”.

Si rezultat i këtij operacioni, u identifikuan dhe u arrestuan në flagrancë shtetasit: G. K., 24 vjeç dhe L.T, 31 vjeç, si dhe u shpallën në kërkim shtetasit R. K., L.(A.). K., G. K. dhe D.(A.). K.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 05.01.2025, në një berberhane, në rrugën “29 Nëntori”, kanë goditur me sende të forta, dyshohet për motive të dobëta, shtetasin A. R., 48 vjeç, i cili ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar:

1 armë zjarri pistoletë, me leje, që u gjet në banesën e shtetasit L. T.;
1 armë gjahu, që u gjet në banesën e shtetasit D. K.;
2 automjete që dyshohet se janë përdorur në këtë ngjarje;
Veshje që dyshohet se kanë mbajtur autorët gjatë ngjarjes, të cilat u gjetën në njërin prej këtyre automjeteve.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA