Donald Trump Jr ka mbërritur në Grenlandë, dy javë pasi babai i tij , Donald Trump, përsëriti dëshirën që SHBA të merrte kontrollin e territorit autonom danez.
Përpara se të mbërrinte në kryeqytetin Nuuk, Trump Jr tha se po shkonte në një “udhëtim personal ditor” për të biseduar me njerëzit dhe nuk kishte planifikuar takime me zyrtarë qeveritarë.
Presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, ringjalli së fundmi një polemikë që ai ndezi muajin e kaluar kur tha se “pronësia dhe kontrolli i Grenlandës është një domosdoshmëri absolute” për sigurinë kombëtare të SHBA.
“Ne nuk jemi në shitje. Grenlanda i përket popullit të Grenlandës”, tha në atë kohë kryeministri i ishullit. Por Mute Egede u tha gjithashtu vendasve që të bënin hapin e tyre të ardhshëm drejt pavarësisë.
Me një popullsi prej 57,000 banorësh, Grenlanda ka një autonomi të gjerë, por ekonomia e saj varet kryesisht nga subvencionet nga Kopenhaga dhe ajo mbetet pjesë e mbretërisë së Danimarkës.
Gjatë mandatit të tij të parë si president, Donald Trump shprehu një interes për të blerë ishullin Arktik. Ai u refuzua atëherë, siç është refuzuar tani.
Top Channel