28 partitë e certifikuara për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të nëntë shkurtit, kanë mësuar numrin e renditjes në fletëvotime.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të hënën ka bërë tërheqjen e shortit ku numri më i vogël është 111. Këtë numër do ketë Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës – 111; Lista Serbe do të ketë numrin 112; Lëvizja Vetëvendosje (LVV) numrin 118; Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) – 124.
“Partia Demokratike e Kosovës (PDK) – 131; Za Slobodu Pravdu Opstanak – 132; Srpski Narodni Pokret – 133; Kosova Demokratik Turk Partisi – 134; Koalicija Vakat – 135; Opre Roma Kosova – 136; Koalicioni AAK-NISMA-Lista Konservatore – 137; Partia Fjala – 138”, tha Valmir Elezi – Zëdhënës i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Gjithsej kandidatë për deputetë të certifikuar janë 1,280.
Ndërkohë, sipas listës përfundimtare në Kosovë të drejtë vote kanë 2 milionë e 75 mijë 868 qytetarë, që është numër dukshëm më i lartë se numri i banorëve rezident në Kosovë e që është 1,6 milionë.
Nga KQZ thonë që lista e votuesve përmban edhe numrin e shtetasve që jetojnë jashtë Kosovës, por që kanë të drejtë vote.
“Lista votuese dhe regjistrimi i popullsisë duhet të shikohen ndaras. Në regjistrimin e popullsisë përfshihen vetëm banorët rezidentë pra, që kanë qenë në Kosovë në momentin kur është kryer procesi i regjistrimit. Ndërkaq në listën votuese përfshihen të gjithë shtetasit e Kosovës me të drejtë vote të cilët jetojnë brenda por edhe jashtë vendit”, tha Elezi.
Ndërkohë që bëhet e ditur se në ditën e zgjedhjeve do të ketë një ndarje të listave që do të shpërndahen në vendvotime.
“Të gjithë shtetasit e Kosovës janë regjistruar për të votuar nga jashtë Kosovës, pra 104,924 shtetas, emrat e tyre janë larguar nga lista e votuesve që shpërndahet në vendvotime në ditën e zgjedhjeve sepse ky është obligim ligjor i KQZ-së”, shtoi ai.
Megjithatë, sipas organizatave vëzhguese të zgjedhjeve, duhet të pastruar lista e votuesve, pasi ekziston mundësia për manipulime.
“Ndonëse se ekzistojnë siguresa të shumta, përfshirë këtu shënjimin e gishtërinjve të votuesve, nënshkrimin, identifikimin me letërnjoftim, sërish në letër ekziston mundësia që komisionerë të papërgjegjshëm ta manipulojnë vullnetin qytetar duke votuar edhe në emër të atyre që nuk janë”, u shpreh Eugen Cakolli – Instituti i Kosovës për Demokraci.
Me këtë listë të pa pastruar vërehet se nuk do të jetë reale as përqindja e pjesëmarrjes së qytetarëve në zgjedhje.
Top Channel