Elon Musk mbështeti hapur ekstremin e djathtë në Gjermani, i përgjigjet kancelari Scholz: Mos e ushqeni trollin, nuk do ta vendosë ai fatin e zgjedhjeve

06/01/2025 11:33

Kur kancelari gjerman Olaf Scholz u pyet në një intervistë për sulmet e ashpra të drejtuara ndaj tij dhe liderëve të tjerë gjermanë nga Elon Musk, njeriu më i pasur në botë, ai u përgjigj: “Mos ushqeni trollin.”

Duke folur për gazetën gjermane Stern, Scholz e përshkroi këtë kritikë si diçka të zakonshme. “Duhet të qëndrosh i qetë,” tha ai në intervistë. “Si Social Demokratë, jemi mësuar prej kohësh me faktin se ka sipërmarrës të pasur mediatikë që nuk e vlerësojnë politikën socialdemokrate – dhe nuk i fshehin opinionet e tyre.”

Scholz tha se nuk do të përpiqet ti përgjigjet Musk, i cili ka shprehur mbështetje për partinë e ekstremit të djathtë “Alternative für Deutschland” (AfD) në zgjedhjet federale të muajit të ardhshëm dhe do të organizojë një diskutim të drejtpërdrejtë në platformën e tij sociale, “X”, me kandidaten për kancelare të kësaj partie, Alice Ëeidel. “Nuk besoj në përpjekjet për të fituar mbështetjen e zotit Musk. Jam i lumtur t’ua lë këtë të tjerëve,” tha ai. “Rregulli është: mos ushqe trollin.”

Kjo ishte përgjigjja më e drejtpërdrejtë e kancelarit ndaj Musk, disa ditë pasi ai i bëri thirrje votuesve që të mos lejojnë “pronarët e kanaleve të mediave sociale” të vendosin rezultatin e zgjedhjeve të përgjithshme, në një adresim për Vitin e Ri që nuk e përmendi me emër Musk dhe as platformën e tij, “X”.

Që nga marrja në dorë e “X”, Musk e ka përdorur gjithnjë e më shumë shtrirjen globale të platformës për të promovuar pikëpamjet e tij politike. Pas shpenzimit të një çerek miliardi dollarësh për të ndihmuar rikthimin e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, Musk ka përdorur ndikimin e tij për të mbështetur parti të ekstremit të djathtë dhe anti-establishment në mbarë kontinentin, duke sulmuar disa nga liderët më të njohur të qendrës së majtë.

Në nëntor, pas shpërbërjes së koalicionit të qendrës së majtë të Scholz-it, Musk e quajti kancelarin një “budalla” në “X”, duke e përsëritur këtë kritikë pas një sulmi në një treg Krishtlindjesh ku u vranë pesë persona dhe u plagosën mbi 200 të tjerë, për të cilin dyshohet se ishte kryer nga një person me origjinë saudite dhe simpati për ekstremet e djathta.

Ndërsa viti 2024 po përfundonte, Musk sulmoi sërish Scholz-in, duke dhënë opinionin e tij për rezultatin e zgjedhjeve në Gjermani, që pritet të mbahen më 23 shkurt: “Kancelari Oaf Schitz, apo si e ka emrin, do të humbasë.”

Ditët e fundit, Musk është përfshirë edhe në politikën britanike, duke i bërë thirrje Mbretit Charles të ndërhyjë dhe të shpërndajë parlamentin, ndërsa kritikoi qeverinë për çështjet e abuzimit me fëmijët, të lidhura me grupe të organizuara, pas disa dënimeve për krime seksuale kundër fëmijëve midis viteve 2010 dhe 2014.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA