Pesë të rinj u hodhën në ujërat e Adriatikut për të kapur kryqin gjatë ceremonisë që u zhvillua në portin detar të Durrësit.

Besimtarët ortodoksë kanë përkujtuar Ditën e Ujit të Bekuar, që përkon me Pagëzimin e Jezu Krishtit në lumin Jordan dhe fillimin e misionit të tij shpëtimtar. Ceremonia e Ditës së Ujit të Bekuar+ shënon shenjtërimin e ujërave dhe simbolizon pastrimin e mëkateve të njerëzimit.

Qindra besimtarë ortodoksë morën pjesë në ceremoninë e hedhjes së kryqit në ujërat e basenit portual të Durrësit, një traditë që përsëritet çdo 6 janar. Këtë vit, kryqi i hedhur në ujërat e ftohta të Adriatikut u kap nga 18-vjeçari Vasil Aleksi që ia dedikoi familjes së tij.

Ceremonitë festive nisën me Shërbesën e Orëve të Mëdha, për t’u kurorëzuar me hedhjen simbolike të kryqit. Kjo traditë zhvillohet pas meshës së paradites në katedralen e Shën Pavlit dhe Shën Asti, që ndodhet pranë portit të Durrësit.

Në bashkëpunim me Kishën Ortodokse të Durrësit, APD krijoi kushtet për zhvillimin e këtij eventi brenda hapësirës portuale.

Forcat e sigurisë dhe mjeti lundrues i APD-së garantoi sigurinë gjatë ceremonisë, që nisi rreth orës 10:30 në pjesën ku bashkohen kalatat 4 dhe 5.

Ceremonia e Ditës së Ujit të Bekuar në Durrës është e veçantë në Shqipëri, pasi zhvillohet në ujërat detare. Ashtu si çdo vit, besimtarë të shumtë mblidhen për të përjetuar nga afër këtë traditë të veçantë, duke e kthyer atë në një moment solemn fetar dhe qytetar për qytetin bregdetar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA