I ftuar në podcastin e Ilnisa Agolli “Flet”, në Top Channel dhe Top Albania Radio, politikani Dashamir Shehi dha jo pak deklarata në një rrëfim ndryshe nga ç’njohim.
Pjesë nga intervista:
Ilnisa Agolli: Nëse politika do të ishte një tufë me kecat e tu, cilin do të ndalonit që të blegërinte me fort?
Dash Shehi: Nëqoftëse do ta kisha unë këtë në dorë, më shumë se për të ndaluar kecat që blegërijnë, do të ndaloja cjeptë e vjetër që pëllasin! Këtë do ta bëja, me këtë do të isha shumë i lumtur…
Përpos të tjerave ai u shpreh dhe për rininë dhe Tironën e tij, krahasimisht me Tironën e sotme.
“E di si është puna, se shoh njerëz tani që shkruajnë për rininë e vetë, e flasin, sikur kanë jetuar si zotërinj, e kanë lexuar shumë, e bëjnë dhe pjesën e aristokratit. Dikush, që ka vënë 5 lekë, edhe tregon se ç’jetë ka bërë. Thotë Marsel Prusti: “Askush nuk ka aq para sa të blejë të kaluarën e vetë”. Kështu që, të fillosh të gënjesh, sikur ti ke jetuar e i ke bërë këto është një përrallë e kotë” u shpreh Shehi.
Ai vijoi duke thënë se “në çdo kohë, rinia është pjesa më e bukur e jetës edhe nëse e ke kaluar në luftë, jo më që ne e kemi kaluar në paqe. Por një paqe e trishtuar, nën një regjim të keq”!
Top Channel