Pas dështimit të negociatave, kancelari i Austrisë njofton dorëheqjen: Nuk biem dakord me socialdemokratët për çështjet kyçe

05/01/2025 08:24

Kancelari i Austrisë, Karl Nehammer, tha se do të japë dorëheqjen në ditët në vijim, si kancelar dhe si lider partie, pasi bisedimet për formimin e një qeverie koalicioni dështuan.

Kancelari deklaroi se partia e tij – Partia Popullore Konservatore (ÖVP) – dhe Social Demokratët nuk arritën të bien dakord për çështje kyçe.

Partia liberale Neos, një tjetër parti e përfshirë në bisedime, gjithashtu u tërhoq të premten.
Në shtator, Partia e Lirisë së krahut të djathtë (FPÖ) shënoi një fitore të paprecedentë në zgjedhjet e përgjithshme të Austrisë, por partitë e tjera përjashtuan formimin e një koalicioni me liderin e FPÖ-së, Herbert Kickl.

Kolapsi i bisedimeve mund të çojë konservatorët të negociojnë me të djathtën ekstreme, ose mund të zhvillohen zgjedhje të reja, thonë analistët.

FPÖ, e cila është miqësore me Rusinë, ka qenë më parë në një koalicion qeverisës. Partia ka të ngjarë të mirëpresë një zgjedhje të re, pasi sondazhet e opinionit sugjerojnë se popullariteti i saj është rritur më tej që nga shtatori.

FPÖ deklaroi në një postim në X se tre muaj janë humbur nga bisedimet për koalicion dhe shtoi se “në vend të stabilitetit, kemi kaos”.

Kjo forcë politike ka bërë thirrje që edhe lideri i Social Demokratëve, Andreas Babler, të japë dorëheqjen dhe ka thënë se presidenti Alexander Van der Bellen mban “një pjesë të konsiderueshme të përgjegjësisë për kaosin e krijuar dhe kohën e humbur”.
FPÖ fitoi pothuajse 29% të votave në zgjedhjet e shtatorit, Partia Popullore doli e dyta me 26.3% dhe Social Demokratët të tretët, me 21%.

Pjesëmarrja në zgjedhje ishte e lartë, 77.3%, ndërsa votuesit austriakë morën pjesë në një proces të dominuar nga dy çështje kryesore: migracioni dhe azili, si dhe një ekonomi e dobët dhe lufta në Ukrainë.
Lideri i FPÖ-së, Kickl, premtoi të ndërtojë një “Fortesë Austriake” për të rikthyer sigurinë dhe mirëqenien e austriakëve.

Partia kërkon rregulla të forta për emigracionin e ligjshëm dhe ka promovuar idenë e “remigracionit”, që përfshin kthimin e azilkërkuesve në vendet e tyre origjinale.

FPÖ u themelua nga ish-nazistë në vitet 1950. Dy ditë para votimit të zgjedhjeve të përgjithshme të vitit të kaluar, disa nga kandidatët e saj u kapën në video në një funeral ku këndohej një këngë e SS-së.
Partia më pas mohoi që kënga, që daton nga viti 1814, të kishte ndonjë lidhje me “ndjenjat naziste”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA