E ardhmja e NASA-s e lidhur ngushtë me firmat komerciale hapësinore

05/01/2025 19:01

Administrata e Presidentit të zgjedhur Donald Trump, i cili merr drejtimin e Shtëpisë së Bardhë më 20 janar, do të vazhdojë përpjekjet e agjencisë amerikane të hapësirës, NASA, për rikthimin e astronautëve në sipërfaqen e Hënës.

Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Kane Farabaugh, ky mision kërkon përfshirjen e kompanive komerciale të hapësirës.

Gjatë një konference shtypi mbi planet e NASA-s për rikthimin e astronautëve në sipërfaqen e hënës, administratori i agjencisë Bill Nelson vuri në dukje se në programin Artemis përfshihen edhe kompani komerciale.

“Është një partneritet komercial dhe ndërkombëtar”

Më shumë se 50 vende janë pjesëtare të Marrëveshjes Artemis, e cila ndan parime të përbashkëta për të përmirësuar eksplorimin civil dhe përdorimin e hapësirës së largët.

Kina, aktualisht konkurrenti kryesor i NASA-s dhe partnerëve të saj ndërkombëtarë, nuk është pjesëmarrëse e misionit, ndërsa planifikon uljen e ekuipazhit të saj në hënë deri në vitin 2030.

NASA dëshiron të arrijë në hënë përpara Kinës, duke përdorur teknologjitë e krijuara nga kompanitë komerciale hapësinore për të realizuar synimin.

“SpaceX do të operojë një kapsulë që do të ulet në hënë për misionin Artemis 3. Misioni Artemis 4 do të realizohet nga SpaceX dhe Artemis 5 nga Blue Origin”, thotë administratori i NASA-s Bill Nelson.

Misioni i ardhshëm do të jetë në vitin 2026, kur Artemis 2 do të dërgojë një ekuipazh në orbitë por nuk do të ulet në hënë. Astronauti Reid Wiseman është komandanti i misionit.

“Suksesi ynë mundëson misionin Artemis 3”

Gjatë misionit Artemis 3, të planifikuar për vitin 2027, NASA synon ta realizojë uljen pranë polit jugor të hënës për të bërë kërkime për akull dhe ujë. Administratori Bill Nelson thotë se përvoja e themeluesit të firmës SpaceX, Elon Musk, në testimin e raketave dhe anijeve hapësinore mund ta ndihmojë misionin Artemis. Po ashtu edhe lidhjet e tij me Presidentin e zgjedhur Donald Trump.

“Mendoj se këto marrëdhënie do të sjellin përfitime për të siguruar fondet e duhura për NASA-n”.

“Pajtohem me Elon Musk-un. Objektivi ynë duhet të jetë edhe më i madh. Duhet të shkojmë në Mars”, thotë për Zërin e Amerikës, Charles Camarda, ish astronaut dhe inxhinier i NASA-s.

“Duhet ta përdorim Hënën vetëm për të përmirësuar teknologjinë dhe shkuar në Mars”.

Në vitin 2005, zoti Camarda ishte pjesë e ekuipazhit të misionit të parë me anije hapësinore pas katastrofës së misionit Columbia në vitin 2003, kur anija shpërtheu gjatë procesit të futjes në atmosferën e Tokës. Të shtatë pjesëtarët e ekuipazhit humbën jetën.

Problemet e kapsulës Orion me shtresën që e mbron atë nga nxehtësia gjatë rihyrjes në atmosferë në misionin pa njeri Artemis 1 në vitin 2022, përbëjnë shqetësim për zotin Camarda. NASA beson se problemi është zgjidhur dhe planifikon ta përdorë kapsulën Orion për dërgimin e astronautëve në hënë.

“Mendoj se kjo mund të jetë pika e kthesës dhe mund të ecet në drejtimin e duhur, ose mund të jetë fundi i NASA-s”, thotë zoti Camarda.

Zëvendës administratorja e NASA-s, ish astronautja Pam Melroy, tha për shtypin se marrja e vendimeve për misionin Artemis përpara ardhjes së administratës së re në Uashington ka rëndësi kohore për realizimin e objektivit të kthimit në hënë përpara Kinës.

“Shtyrja do të ishte shumë më e keqe”.

Zoti Trump njoftoi planet për të emëruar sipërmarrësin dhe pilotin Jared Isaacman për postin e administratorit të ri të NASA-s.

Në vitet 2021 dhe 2024, zoti Isaacman fluturoi rreth Tokës në kapsulat Dragon të firmës SpaceX dhe është astronauti i parë komercial që kryen një aktivitet të tillë./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA