Shtetet e Bashkuara do të vendosin sanksione kundër Industrisë së Naftës së Serbisë, NIS, e pohuar kjo nga vetë Aleksandar Vuçiç.
Presidenti serb u shpreh se një lëvizje e tillë i është konfirmuar tashmë nga nënsekretari amerikan i Shtetit për Rritje Ekonomike, Energjinë dhe Mjedisin, Jose Fernandez.
“Ata do të vendosin sanksione, jo vetëm financiare, por sanksione të plota. Këto nuk do të jenë sanksione kundër kompanive që janë në pronësi ruse, apo që financohen nga bankat ruse, por do të jenë sanksione të drejtpërdrejta ndaj kompanisë tonë NIS”, tha kreu i shtetit serb në mbledhjen e qeverisë.
Vuçiç është takuar ndërkohë me urgjencë me ambasadorin amerikan në Serbi, Christopher Hill, dhe mes tjerash ka thënë të ketë diskutuar edhe për NIS-in dhe sanksionet eventuale. Ai pretendon se Uashingtoni do t’i japë Serbisë afat prej 30 ditësh “të rishikojë situatën dhe të marrë veprime, dhe brenda 60 ditëve të përfundojë gjithçka”. Ai i ka propozuar sërish Qeverisë serbe që t’i formojë dy ekipe, në koordinim me kryeministrin, për të biseduar me palën amerikane dhe atë ruse. Vucic theksoi se Serbia ka lidhje të mira me persona në administratën e re të presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, por shtoi se synon të takohet me presidentin rus, Vladimir Putin në pjesën e dytë të janarit. Që prej vitit 2008, NIS-i është në pronësi të kompanisë shtetërore ruse, Gazprom Neft dhe kompanisë së saj amë, Gazprom.
Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara e kanë futur Gazprom Neftin në listë të zezë më 2014, pasi Rusia aneksojë Gadishullin e Krimesë, ndërsa Gazpromi vetë nuk është në listën e sanksioneve të Perëndimit.
Top Channel