Hetuesit jugkoreanë u detyruan të ndalojnë përpjekjen e tyre për arrestimin e presidentit Yoon Suk Yeol pas një përplasjeje 6 orëshe me ekipin e tij të sigurisë.
Yoon është nën hetim për abuzim me pushtetin dhe nxitje rebelimi për shkak se tentoi të vendoste në fillim të dhjetorit ligjin e luftës. Kjo lëvizje jetëshkurtër e tij çoi drejt një krize politike dhe pezullimit të përkohshme të kreut të shtetit pas vendimit të marrë nga një komision parlamentar i drejtuar nga opozita.
Një fletarresti u lëshua në emër të tij më herët gjatë javës, pasi Yoon nuk iu përgjigj tre thirrjeve për të dëshmuar. Nëse mandat arresti do të zbatohej, ai do të bëhej presidenti i parë në detyrë në historinë e Koresë së Jugut që do të arrestohej. Presidenti, i cili më 3 dhjetor 2024 njoftoi për shpalljen e gjendjes së luftës, njoftim që tronditi demokracinë e Azisë Lindore dhe për një kohë të shkurtër riktheu në shtet sundimin ushtarak, përballet me shkarkim, ose në skenarin më të keq, me dënim me vdekje.
“Sa i përket ekzekutimit të fletarrestimit sot, u vendos se ekzekutimi do të ishte i pamundur për shkak të përplasjes së vazhdueshme”, tha përmes një deklarate Zyra për Hetimin e Korrupsionit, që po heton Yoonin lidhur me vendimin e tij për gjendjen e luftës. “Shqetësimet për sigurinë e personelit në terren çuan deri te ndalja e vendimit” për përpjekjet për arrestim, u tha në deklaratë, ku u shtua se ka pasur konfrontim me shërbimin presidencial të sigurisë së Yoonit dhe njësisë së tij ushtarake.
Afati për zbatimin e fletarrestimit është të hënën, teksa Yoon më herët gjatë kësaj jave tha se do të “luftojë” me autoritetet që duan ta marrin atë në pyetje. Skuadrat e oficerëve të sigurisë që mbrojnë Yoon pavarësisht pezullimit, dhe një njësi trupash ushtarake përgjegjëse për mbrojtjen e qytetit të Seulit formuan së bashku një “mur njerëzor” dhe përdorën automjetet për të bllokuar rrugën dretj rezidencës së presidentit.
Shërbimi i sigurisë së Yoonit, që e mbron ende atë si president i vendit, edhe më herët kishte bllokuar përpjekjet për bastisje policore në zyrën presidenciale. Yoon është nën hetim për tradhti, me tre hetime të veçanta qeveritare në proces.
Zyra e tij është bastisur disa herë dhe atij i ndalohet të largohet nga vendi. Mbështetësit e tij sakaq konsiderojnë se kreu i shtetit, i cili dikur mbante detyrën e ish kryeprokurorit, ka tentuar të luftojë elitat e korruptuara të vendit, dhe ndaj po sulmohet tani.
Top Channel