Familjet e viktimave të vrarë nga mafia siçiliane kanë shprehur frikën se më shumë se 20 mafiozët e liruar gjatë tre muajve të fundit mund të kthehen në lagjet që dikur kontrollonin.
Shumica e ‘kapove’, disa prej të cilëve mbanin role drejtuese në familjet kryesore mafioze të kryeqytetit të Siçilisë, Palermos, nuk e kanë tradhtuar në asnjë moment mafian siçiliane, Cosa Nostra dhe kanë refuzuar të bashkëpunojnë me autoritetet gjyqësore. Ata janë liruar me leje ose për sjellje të mirë.
Salvatore Borsellino, vëllai i gjyqtarit legjendar anti-mafia, Paolo Borsellino, i cili u vra nga organizata kriminale Cosa Nostra në 1992, tha: “Lirimi nga burgu i mafiozëve që kanë refuzuar gjithmonë të bashkëpunojnë me drejtësinë është jashtëzakonisht i rrezikshëm. Është një goditje fatale për luftën kundër mafias”.
Nino Morana Agostino, nipi i oficerit të policisë Nino Agostino, i cili u qëllua për vdekje së bashku me gruan e tij, Ida në vitin 1989, tha për gazetën la Repubblica: “Nuk mund të çalojmë në luftën kundër mafias. Mafiozët që ishin dënuar me burgim të përjetshëm që tani po kthehen në liri me kusht, mbajnë ende sekrete për vrasjet e pazbardhura mafioze që nuk kanë pranuar t’i rrëfejnë. Lirimi i tyre është rrezik i madh”
Në tetor, Raffaele Galatolo, 74 vjeç, një bos mafioz në lagjen Acquasanta të Palermos, pasi gjykata e shpalli atë “të burgosur model” për sjelljen e tij të mirë, është liruar me kusht.
Galatolo dhe vëllai i tij Vincenzo, të cilët u dënuan për vrasje, ishin drejtuesit e të ashtuquajturës “dhoma e vdekjes”, një dhomë ku kryheshin vrasje me urdhër të bosit të atëhershëm të mafias siçiliane, Salvatore “Totò” Riina. Pas vdekjes së Vincenzos, Raffaele mbeti trashëgimtari i vetëm i fronit në familjen mafioze të Acquasanta.
Një javë më parë, Giuseppe Corona, i cili ishte në paraburgim në pritje të gjyqit që nga viti 2018 në burgun e sigurisë së lartë rezervuar për ‘kapot’ e mafias, u lirua pasi kishte kryer kohën maksimale të lejuar përpara gjyqit të tij, i cili është shtyrë vazhdimisht.
Në fillim të tetorit, gjykata e apelit të Palermos liroi nëntë bosë nga Trapani për të njëjtën arsye, të lidhur me ish-bosin e mafias siçiliane Matteo Messina Denaro, i arrestuar në janar 2023 pas 30 vitesh në arrati.
Kryeprokurori i Palermos, Maurizio de Lucia, dha një deklaratë për të mos ulur vigjilencën në luftën kundër mafies, me hetuesit që kanë frikë nga mundësia që Cosa Nostra, pas një periudhe të gjatë rënieje, mund të përpiqet të riorganizojë të ashtuquajturën “Cupola”, organi drejtues i saj.
“Ndryshimet e fundit në ligjin italian lejojnë ‘kapot’ që nuk i pranuan kurrë veprimet e tyre dhe nuk dëshmuan kurrë kundër mafias, të përfitojnë nga legjislacioni për ‘sjellje të mirë’. Autoritetet e burgut nuk po konsultohen me prokurorët për të kuptuar se sa i rrezikshëm mund të jetë kthimi i tyre”
“Kthimi i tyre në masë do ta bëjë më të lehtë riorganizimin e Cosa Nostra-s. Ka gjasa që ‘Cupola’ të ringrihet. Prania e tyre dërgon një mesazh mosndëshkimi për komunitetin”, tha Federico Varese, një profesor i kriminologjisë në Universitetin e Oksfordit dhe autor i Mafia Life.
Frika e prokurorëve dhe familjeve të viktimave vjen kryesisht për faktin se shumë prej ‘kapove’ kanë refuzuar të bashkëpunojnë me autoritetet, duke sinjalizuar interesin e tyre për të vazhduar t’i shërbejnë mafias.
“Këta mafiozë do të largohen nga burgu për të rimarrë pushtetin e tyre brenda klanit. Për më tepër, ata do të gëzojnë prestigj mes anëtarëve të mafias dhe atyre që mbështesin Cosa Nostra-n, sepse mund të mburren me faktin që nuk emëruan anëtarë të tjerë të mafias gjatë burgimit”, tha Borsellino.
Profesori i kriminologjisë Varese tha: “Hyrja në mafien siçiliane është e përjetshme dhe kjo ndodh përmes një rituali. Në ritual, fotoja e djegur e një shenjtori vihet në duart e anëtarit të ri teksa pjesa tjetër thonë së bashku : “Do të digjesh si kjo foto nëse tradhton ose përpiqesh të largohesh nga kjo organizatë”.
“Vdekja është mënyra e vetme për tu larguar ose dëbimi pasi ke dëshmuar në shtet. Pra, ata që do kthehen në lagjet e Palermos dhe Trapanit do të rifillojnë aktivitetet e tyre mafioze”, shtoi Varese.
Top Channel