Mesazhi i Veliajt, fjala e kryebashkiakut në mesnatë në sheshin ‘Skënderbej’: Dashuria e mban të fortë këtë qytet

01/01/2025 09:00

Pak para ndërrimit të viteve, atmosfera festive në sheshin ‘Skënderbej’ ishte ndezur nga performanca e artistëve të njohur shqiptarë, duke dhuruar një mbrëmje të paharrueshme për të gjithë ata që kishin dalë për të festuar në shesh.

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, si çdo vit ka uruar të gjithë shqiptarët nga sheshi ‘Skënderbej’.

“Siç e bëjmë çdo vit, shikoni kë keni në krahun e majtë, shikoni kë keni në krahun e djathtë dhe jepini një super përqafim se dashuria e mban këtë qytet fort. Përqafoni njëri-tjetrin, i thoni që e doni shumë, tregoni mirësi, tregoni dashuri, tregoni mbarësi se ky qytet është produkt i kësaj dashurie të madhe. Nuk ka një vend më të mirë, më të bukur dhe më të dashur se Tirana jonë e madhe”, tha Veliaj.

Veliaj shprehu mirënjohje për zjarrfikësit, mjeket policet dhe punonjësit e pastrimit, të cilët e kanë pritur Vitin e Ri në shërbim të qytetarëve.

“Unë e di që është shumë e vështirë që ta pranojmë suksesin. Ndonjëherë suksesi ka xhelozi dhe ndonjëherë ka stërkëmbësha, por Tiranën tonë nuk e ndalon askush dhe progresin e Tiranës tonë nuk e ndalon askush. Ju dua shumë të gjithëve! Gëzuar Vitin e Ri”, tha ai.

Veliaj përshëndeti të gjithë ata që kishin ardhur nga diaspora dhe turistët e shumtë nga e gjithë bota që zgjodhën që mbrëmjen e ndërrimin e viteve ta kalonin në Tiranë.

Veliaj i uroi mirëseardhjen te gjithë shqiptarëve nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Lugina e Preshevës, nga Mali i Zi, por dhe ata që kishin ardhur në vendlindje nga Amerika dhe Kanadaja, nga Australia, Zelanda e Re, por edhe shume turistëve të huaj që kishin zgjedhur Tiranën për të festuar ndërrimin e viteve.

Top Channel