Akuza janë hedhur ndaj Rusisë, pas rrëzimit të avionit të Azerbajxhanit në Kazakistan.
Sipas pretendimeve të autoriteteve vendase një sistem rus kundërajror mund të ketë rrëzuar avionin e pasagjerëve që u rrëzua në Kazakistan në ditën e Krishtlindjeve.
Tashmë është gjetur kutia e dytë e zezë e avionit, që ata shpresojnë se do të hedhë dritë mbi shkakun e katastrofës që vrau dhjetëra njerëz. Do të duhen rreth dy javë për të lexuar kutitë e zeza të gjetura në vendngjarje.
Shenjat tregojnë për një sistem rus që goditi fluturimin J2-8243 të Azerbajxhanit Airlines përpara se të rrëzohej pranë qytetit Aktau, deklaroi zyrtari amerikan për CNN.
Kjo është hera e parë që SHBA ka ofruar një vlerësim të rrëzimit të së mërkurës, i cili vrau të paktën 38 nga 67 personat në bordin e avionit.
Zyrtarët nga Azerbajxhani, Kazakistani dhe Rusia u kërkuan njerëzve që të mos spekulojnë për rrëzimin e avionit derisa hetimet të kenë përfunduar.
Një komision është ngritur për të hetuar, duke përfshirë përfaqësues nga Kazakistani, Azerbajxhani dhe Rusia.
Megjithatë, agjencitë e zbatimit të ligjit të Rusisë dhe Azerbajxhanit nuk do të lejohen të kryejnë një hetim mjeko-ligjor.
Avioni po udhëtonte nga kryeqyteti i Azerbajxhanit Baku për në Grozny, kryeqyteti i republikës jugore ruse të Çeçenisë, përpara se të bënte një ulje emergjente rreth 3 kilometra nga Aktau,.
Mediat shtetërore ruse raportuan se avioni u ridrejtua për shkak të mjegullës së madhe në Grozny.
Sipas faqes së internetit të gjurmimit të fluturimeve, avioni u nis të mërkurën në orën 7:55 të mëngjesit me orën standarde të Azerbajxhanit dhe u rrëzua rreth dy orë e gjysmë më vonë.
Top Channel