Dëmtimi i katër kabllove nënujore të telekomunikacionit në Balltik ishte vetëm më i fundit e një serie incidentesh të këtij lloji që kanë ngjallur shqetësim në Europën Perëndimore.
Raportet e fundit flasin për dëme në tre kabllo midis Finlandës dhe Estonisë dhe një mes Finlandës dhe Gjermanisë. Autoritetet kanë hapur një hetim pa përjashtuar mundësinë e sabotimit.
Fokusi i hetimit do të jetë një cisternë nafte që mund t’i përkasë të ashtuquajturës flotës hije të Rusisë. BE ka kërcënuar të vendosë sanksione ndaj flotës në fjalë pas dëmtimit rishtazi të një kablloje nëntokësore në Detin Baltik dhe kapjes së një anijeje të dyshimtë nga autoritetet finlandeze.
Kaja Kallas, Shefe e politikës së jashtme të BE-së: Ne do të propozojmë masa të mëtejshme, duke përfshirë sanksione, që shënjestrojnë këtë flotë. Anija e dyshimtë është pjesë e flotës ruse në hije, e cila kërcënon sigurinë dhe mjedisin dhe në të njëjtën kohë financon buxhetin e luftës ruse.
Natën e Dytë të Krishtlindjeve, hetuesit finlandezë hyjnë në një cisternë nafte në Detin Baltik. Anija “Eagle S” nën flamurin e Ishujve Kuk ndodhej në mënyrë të dyshimtë pranë linjës së energjisë Estlink 2 midis Estonisë dhe Finlandës, e cila ndali së punuari papritur në ditën e Krishtlindjes.
“Ne dërguam një anije patrullimi te cisterna dhe zbuluam se spirancat nuk ishin në vend. Prandaj kishim arsye të besonim se diçka e çuditshme po ndodhte“, u shpreh nënkryetari i rojës kufitare Markku Hassinen në një konferencë shtypi.
Që nga fillimi i luftës së Rusisë kundër Ukrainës, sulmet hibride janë shtuar në rajonin e Detit Baltik e Finlanda është bërë shpesh objektiv i sulmeve të tilla.
Top Channel