Të paktën dhjetë persona janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur gjatë një sulmi ajror izraelit në Gazë në orët e para të 26 dhjetorit, thanë mjekët dhe autoritetet shëndetësore në enklavën palestineze.
Pesë persona u vranë dhe 20 të tjerë u plagosën gjatë një sulmi ajror izraelit në një shtëpi në lagjen Zeitun të Qytetit të Gazës, teksa autoritetet shëndetësore shtuan se numri i viktimave mund të rritet pasi shumë njerëz kanë mbetur të bllokuar nën rrënojat e ndërtesës.
Ndërkaq, një incident të ndarë, pesë gazetarë u vranë kur makina e tyre u godit nga një sulm në afërsi të spitalit Al-Avda, në Nuseirat në Gazën qendrore.
Ata ishin punonjës të kanalit televiziv, Al-Quds Al-Youm. Sipas mediave palestinezëve dhe gazetarëve lokalë, makina e gazetarëve të vrarë ishte e shënjuar si makinë e ekipeve mediale dhe ishte përdorur nga ta për të raportuar nga brenda spitali dhe kampi i refugjatëve Nuseirat.
Ende nuk ka ndonjë reagim nga Izraeli lidhur me këto sulme të raportuara.
Megjithatë, një ditë më herët Izraeli dhe Hamasi, grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, këmbyen akuza se kanë dështuar të përmbyllin një marrëveshje armëpushimi, pavarësisht se të dyja palëve ditëve të fundit thanë se ka përparim në këtë proces.
Edhe pse së fundi palët kanë shprehur optimizëm për një marrëveshje armëpushimi, ende ka pika për të cilat nuk është gjetur pajtim lidhur me këmbimin pengjeve me të burgosurit palestinezë dhe për tërheqjen e trupave izraelite nga Gaza.
Gjatë sulmit të 7 tetorit të vitit 2023 në Izrael, Hamasi vrau afër 1.200 persona dhe rrëmbeu afër 250 të tjerë. Vitin e kaluar u liruan më shumë se 100 pengje, në këmbim të lirimit të palestinezëve të burgosur në Izrael. Disa të tjerë janë shpëtuar, por Izraeli thotë se beson që nga afër 100 pengje që gjenden në Gazë, të paktën dy e treta e tyre janë vrarë apo kanë vdekur në robëri.
Ofensiva hakmarrëse izraelite, deri më tani ka lënë të vrarë më shumë se 45.000 palestinezë dhe ka shkaktuar dëme të mëdha në Rripin e Gazës.
Top Channel