Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka thënë të enjten se kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, e ka njoftuar se Sllovakia është e gatshme të jetë nikoqire e bisedimeve të mundshme për paqe mes Moskës dhe Kievit, për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Putini tha për media se Fico theksoi gjatë një takimi me të rishtazi se “nëse ka bisedime, [sllovakët] me kënaqësi do ta ofronin vendin si platformë”.
Shumica e kushteve për paqe që i ka sugjeruar deri tani Putini, janë cilësuar si të papranueshme nga presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Fico është njëri nga liderët e pakët evropianë me të cilët Putini ka ruajtur marrëdhënieve miqësore prej se Moska e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në vitin 2022.
Sllovakia shihet si një nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian nga Evropa qendrore dhe lindore që ngurrojnë ta përkrahin Ukrainën dhe mbështesin fillimin e bisedimeve me Rusinë.
Zelensky vazhdimisht e ka kritikuar Sllovakinë, e cila kufizohet me Ukrainën, për shkak të tonit miqësor të Ficos karshi Rusisë prej se u kthye në pushtet pas zgjedhjeve të vitit 2023.
Putini ka thënë vazhdimisht se Rusia është e hapur për bisedime për t’i dhënë fund konfliktit me Kievin, por se gjithsesi do t’i arrijë synimet e veta në Ukrainë.
Putini tha të enjten se Rusia mund ta përdorë përsëri raketën e re hipersonike balistike, me rreze të mesme veprimi, e njohur si Oreshnik, por se nuk është për ngut.
“Ne nuk e përjashtojmë mundësinë për ta përdorur atë sot dhe nesër, nëse është e nevojshme”, tha Putin. /rel
Top Channel