Bisedimet për të arritur një armëpushim në Gaza dhe një marrëveshje për lirimin e pengjeve midis Izraelit dhe Hamasit janë 90% të përfunduara, ka thënë për BBC një zyrtar i lartë palestinez.
Një nga pikat kryesore të ngecjes së diskutimeve është prania e vazhdueshme ushtarake izraelite në Philadelphi, një brez toke me rëndësi strategjike për Gazën jugore përgjatë kufirit me Egjiptin.
Zyrtari palestinez tha që diskutimet që po zhvillohen në Doha përfshijnë krijimin e një zone neutrale disa kilometra të gjerë përgjatë kufirit të Izraelit me Gazën në të cilët izraelitët do kenë prezencë ushtarake.
Zyrtari ndau detaje nga armëpushimi me tre faza që mund të arrihet brenda pak ditëve nëse zgjidhen çështjet e mësipërme.
Marrëveshja do përfshijë një shkëmbim të 20 të burgosurve palestinezë për çdo ushtare femër të liruar nga Hamasi në fazën e parë të armëpushimit.
Nuk ka akoma dakortësi nga palët për emrat e të burgosurve, por ata do të zgjidhen nga rreth 400 palestinez që janë dënuar me të paktën 25 vite burg në Izrael. Ndër këta 400 nuk do të përfshihet lideri i lartë palestinez, Marwan Barghouti, lirimin e të cilit Izraeli pritet ta refuzojë.
Pengjet izraelitë do të lirohen në disa faza, pasi besohet se Hamasi ende po kërkon disa nga pengjet e zhdukura. Nga 96 pengje që mbahen në Gaza, Izreali supozon se 62 janë ende gjallë.
Gjatë fazës së dytë qytetarët e Gazës do të jenë në gjendje të kthehen në veri, nën një sistem me mbikëqyrje nga Egjipti dhe Katari, rreth 500 kamionë në ditë do të sjellin ndihma.
Në fazën përfundimtare, për të cilën shpresohet të jetë fundi i luftës 14-mujore, Gaza do të mbikëqyret nga një komitet teknikësh, që nuk do të kenë lidhje të mëparshme politike, por do të jenë të mbështetur nga fraksionet politike palestineze.
Top Channel