Banka e Shqipërisë njoftoi të martë e 24 dhjetorit se ka blerë 270.5 milionë euro në tregun e brendshëm valutor për tremujorin e tretë të vitit.
Banka sqaron se krahas blerjeve në ankand, që kapën vlerën e 94.4 milionë eurove, dhe që kanë si qëllim rritjen e rezervës valutore, u bënë edhe 176.1 milionë euro blerje direkte, me qëllim për të frenuar rënien e mëtejshme të kursit të këmbimit Euro-Lek.
Banka e Shqipërisë i nisi blerjet direkte të valutës që në muajin maj dhe i vazhdoi ato deri në fillim të muajit gusht. Më pas, operacionet e blerjes direkte të valutës rifilluan në tremujorin e katërt të vitit, por megjithatë vlerësohet se blerjet kanë qenë më të ulëta krahasuar me tremujorin e tretë.
Sipas të dhënave zyrtare të publikuara deri tani, për nëntë muajt e parë të vitit 2024, Banka e Shqipërisë ka blerë gjithsej më shumë se 542 milionë euro në tregun e brendshëm valutor, dhe kjo rezulton të jetë vlera më e lartë historike e blerjeve të bankës në tregun valutor për këtë periudhë të vitit.
Banka e Shqipërisë ka planifikuar një rritje të mëtejshme të blerjeve të valutës në vitin 2025, të paktën në pjesën që lidhet me ankandet për të rritur rezervën valutore.
Top Channel