Sonda Diellore Parker do arrijë pikën më të afërt nga dielli ditën e martë gjatë fluturimit të saj, duke u afruar 3.8 milion milje nga sipërfaqja diellore.
Anija kozmike pa ekuipazh do të fluturojë me 430,000 milje në orë, e cila mjafton për të arritur në Tokio nga Uashingtoni DC, në më pak se një minutë, sipas NASA-s. Kjo do ta bëjë sondën objektin më të shpejtë të krijuar në histori, tha NASA gjatë një prezantimi të Science Live në YouTube.
Misioni ishte i destinuar të arrinte në këtë moment historik që kur filloi më 12 gusht 2018, një ngjarje ku mori pjesë edhe personi nga i cili mori emrin sonda, Eugene Parker, një astrofizikan që ishte një nga pionierët e fushës së studimeve diellore.
Parker ishte personi i parë që kishte një anije kozmike të emëruar sipas tij, përpara se të ndërronte jetë. Astrofizikani, hulumtimet e të cilit revolucionarizuan pikëpamjen e njerëzimit për diellin dhe hapësirën ndërplanetare, vdiq në moshën 94 vjeçare në mars 2022. Gjithsesi ai ishte dëshmitar se si anija kozmike mund të ndihmonte në zgjidhjen e mistereve rreth diellit.
Sonda Parker u bë anija e parë kozmike që “preku diellin” duke fluturuar me sukses përmes atmosferës së brendshme të tij, për të marrë kampione nga grimcat diellore dhe fusha magnetike e yllit tonë në dhjetor të vitit 2021.
Gjatë gjashtë viteve të fundit të misionit, Sonda Diellore Parker ka mbledhur të dhëna për të hedhur dritë mbi disa prej mistereve më të mëdha të diellit.
Studiuesit e diellit për një kohë të gjatë kanë pyetur veten se si krijohet era diellore, një rrymë e vazhdueshme grimcash të lëshuara nga dielli, dhe pse korona e diellit është shumë më e nxehtë se sipërfaqja e tij.
Tashmë, është koha për fluturimet më të afërta dhe të fundit të sondës me diellin , fluturime të cilat mund tu japin përgjigje pyetjeve të përhershme rreth diellit dhe të zbulojnë mistere të reja duke zbuluar territorin diellor të pa eksploruar.
“Parker Solar Probe po ndryshon fushën e studimeve rreth diellit. Pas vitesh përballje me nxehtësinë dhe pluhurin e sistemit të brendshëm diellor, duke duruar shpërthime të energjisë diellore dhe rrezatime që asnjë anije kozmike nuk i ka parë ndonjëherë, Sonda Diellore Parker vazhdon të ketë sukses”, tha Helene Winters, menaxhere e projektit të Sondës Diellore Parker.
Top Channel