Policia ka reaguar zyrtarisht, pasi deputeti demokrat Agron Gjekmarkaj humbi ndjenjat në protestë.
Në reagimin zyrtar theksohet se deputeti nuk është goditur nga policët, por ai nuk është ndjerë mirë nga ana shëndetësore dhe është larguar nga protesta..
“Policia e Shtetit përgënjeshtron si tërësisht të pavërtetë deklaratën në media të z. Sali Berisha, ku pretendoi se deputeti Agron Gjekmarkaj është goditur nga punonjësit e Policisë. Deputeti Gjekmarkaj nuk është goditur nga asnjë punonjës policie, por, nga të dhënat e para, rezulton se ai nuk është ndjerë mirë nga ana shëndetësore dhe është larguar nga protesta.
Policia e Shtetit shpreh keqardhje për këto deklarata dhe, mbi të gjitha, për veprimet e dhunshme të deputetit Flamur Noka, i cili jo vetëm nuk iu bind urdhrit të Policisë për të liruar rrugën, por ka kundërshtuar me dhunë, duke shtyrë, fyer dhe goditur punonjësit e Policisë që ishin në detyrë për të liruar rrugën me qëllim lëvizjen e lirë të automjeteve dhe qytetarëve.
Policia e Tiranës ka evidentuar të gjithë ata shtetas që bllokuan në mënyrë antiligjore rrugën dhe kundërshtuan urdhrin e punonjësve të Policisë për ta liruar atë dhe do të procedohen sipas ligjit.
Bllokimi i rrugëve është vepër penale, çka u është bërë e qartë organizatorëve të protestës në përgjigjen e kthyer nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, që mori përsipër garantimin e protestës, por pa bllokuar lëvizjen e lirë të automjeteve dhe qytetarëve”, sipas policisë.
Ai tha më parë për Top Channel se është shtyrë nga policët gjatë protestës.
“Më shtynë policët dhe u rrëzova pa ndenja. Kam aritmi, nuk jam në gjendje të mirë shëndetësore, po shkoj drejt spitalit ushtarak”, u shpreh për Top Channel Gjekmarkaj pas situatës së krijuar.
Aktualisht Gjekmarkaj ndodhet në spitalin e Traumës, ku po merr ndihmën e duhur mjekësore. Kreu i PD, Sali Berisha ka shkruar ta vizitojë nënkryetarin e PD, njëherazi edhe nënkryetarin e Parlamentit.
Top Channel