Dëshmia e Kurtit në Prokurori/ Ministrja e drejtësisë: Le ta intervistojnë në kryeministri, duan të dëmtojnë LVV

23/12/2024 21:04

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka për detyrim të dëshmojë para prokurorëve të Prokurorisë Speciale lidhur me rastin e keqpërdorimeve me rezervat shtetërore.

Në ftesën e parë të prokurorisë ku kërkohej që Kurti të paraqitej më 16 dhjetor, ai nuk paraqit me arsyetimin se ishte jashtë vendit e u tregua i gatshëm të presë prokurorët në zyrë.

Pas ftesës së dytë që iu bë javën e shkuar, kabineti i kryeministrit njoftoi se prokurorisë i janë dhënë tre data se kur Albin Kurti mund të japë dëshminë, dy prej atyre datave janë gjatë kësaj javë, por që nuk janë bërë të ditura.

Bashkë me këto data, kabineti u ka bërë edhe një herë ftesë prokurorëve ta intervistojnë kryeministrin Kurti në zyrën e tij.

E një mendje me zyrën e kryeministrit është edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e cila tha se intervistimi në zyrë është praktikë e mëhershme.

“Nuk është hera e parë, nuk është diçka e pazakontë, nuk është diçka e paligjshme. Prandaj, nëse Prokuroria Speciale është e interesuar që ta marrë dëshminë e kryeministrit lirisht mund t’i përgjigjet kërkesës së kryeministrit Kurti, gjegjësisht kabinetit, përmes këshilltarëve të tij”, shprehet Haxhiu.

Tutje, Haxhiu shtoi se ftesa erdhi në kohë të zgjedhjeve për të dëmtuar Lëvizjen Vetëvendosje.

“Me këto veprime ka tendencë për ta minuar punën tonë, për ta bllokuar punën tonë, për ta dëmtuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe qeverinë siç zakonshëm kanë bërë”, tha ajo.

Kodi i Procedurës Penale të Republikës së Kosovës në nenin 129, pika pesë thekson se vetëm “dëshmitari i cili për shkak të pleqërisë, sëmundjes ose të metave të rënda trupore nuk mund t’i përgjigjet thirrjes, mund të pyetet jashtë institucioneve të drejtësisë”.

Ndërkohë që mosparaqitja e pa arsyetueshme pasohet me gjobë deri në 250 euro, mosdhënia e dëshmisë po ashtu pasohet me gjobë në vlerën e njëjtë e pastaj i thirruri si dëshmitar edhe mund të burgoset deri në një muaj.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA