Qeveria e Kosovës ka vendosur të ndajë nga 100 euro shtesë për pensionistët dhe po ashtu për gjithë fëmijët të moshave deri 16 vjeç.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media së bashku me ministrin e Financave, Hekuran Murati, deklaroi se po ndahen këto shtesa pas performancës së mirë ekonomike.
“Të dashur fëmijë, të gjithë ju që jeni të moshës nga 0 deri në 16 vjeç, dhe që jeni pranues të shtesave mujore për fëmijë, do t’i përfitoni edhe sivjet nga 100 euro secili. Kjo nuk është vetëm një dhuratë e fundvitit nga shteti juaj, por është investim në mirëqenien e të gjithë fëmijëve pa dallim. Kjo shënon mbështetjen e 5-të brenda mandatit tonë”, tha Kurti.
Ndaj vendimit për ndarjen e shpërblimeve ka reaguar ish-ministrja e Financave, deputetja nga radhët e LDK-së, Hykmete Bajrami. Ajo e ka quajtur “skemë e korrupsionit publik”.
“Po tenton të blejë vota. Janë 4 vjet të humbura. Jeni në panik, por as kjo skemë nuk ju shpëton dot”, ka shkruar Bajrami në Facebook. Po ashtu ka reaguar edhe Berat Rukiqi i LDK-së.
“Asgjë e re. Qeveria në panik, vazhdon përdorimin e parasë publike, për blerje të votave”, ka shkruar Rukiqi në rrjetet sociale.
Top Channel