Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, ka zhvilluar një takim me shefat e rinj të komisariateve të policisë në vend.
Gjatë takimit, Proda u përcolli shefave të komisariateve një sërë detyrash dhe porosish për të përmirësuar më tej imazhin e Policisë, për të rritur parametrat e sigurisë dhe për të arritur rezultate më të larta në luftën kundër krimit.
Proda: “Angazhimi juaj maksimal në krye të strukturave që drejtoni për ndjekjen në dinamikë të shqetësimeve dhe problematikave të qytetarëve, për respektimin e lirive dhe të drejtave themelore të tyre, për parandalimin dhe goditjen e krimit të rrugës që ndikon drejtpërdrejt tek qytetarët, për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të hapura dhe të mbyllura dhe shpërndarjen e tyre, të lojërave të fatit, krimeve mjedisore, për sigurinë në shkolla, sigurinë rrugore, për rritjen e performancës së punonjësve të policisë dhe për etikën e komunikimit me qytetarët është shumë thelbësor. Jam i bindur se secili prej jush do të jetë në lartësinë e detyrës që mban.”
Në përmbyllje të takimit, Drejtori i Përgjithshëm theksoi se jemi përpara një procesi zgjedhor dhe se tashmë Policia e Shtetit ka vendosur standarde të certifikuara nga ndërkombëtarët për një qëndrim korrekt. Ai iu kërkoi shefave të komisariateve dhe vartësve të tyre të zbatojnë ligjin dhe vetëm ligjin, duke theksuar: “Ne jemi punonjës policie dhe kemi një mision – zbatimin e ligjit.”
Top Channel