Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani ka thirrur në ministri ambasadorin rus, Zaitsev Alexei Anatolyevitch, pas sulmeve ruse që goditën edhe ambasadën shqiptare në Kiev.
Ambasadori rus është thirrur në Ministrinë e Jashtme për të dhënë sqarime lidhur me ngjarjen.
Ministria e Jashtme në një reagim, dënoi sulmet e ndodhura mëngjesin e së premtes.
“Si pasojë e sulmeve, u dëmtuan pjesërisht fasada e jashtme dhe disa hapësira brenda godinës së ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Kiev dhe ambasadave të pesë vendeve të tjera, duke vënë në rrezik jetën e personelit diplomatik. Raportohet vetëm për dëme materiale.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dënon pa asnjë mëdyshje këto sulme brutale. Ky akt i pakuptimtë është një sulm ndaj themeleve të vetë diplomacisë ndërkombëtare. Mbrojtja e personelit diplomatik dhe paprekshmëria e misioneve janë parime të panegociueshme që duhet të respektohen dhe të zbatohen plotësisht”-reagoi Ministria e Jashtme.
Top Channel