Zgjatja e mandatit për prokurorët, analiza në studion e Top Story: Mesazhi i amerikanëve, mbështetje për SPAK! Ç’do ndodhë në parlamentin e ardhshëm

19/12/2024 21:29

Mbrëmjen e sotme në emisionin Top Story diskutimi në pjesën e parë u përqendruar në mesazhin e dhënë sot nga amerikanët për zgjatjen e mandatit për prokurorët e SPAK.

Robert Rakipllari, drejtor i informacionit në Top Channel, u shpreh se ky ishte një mesazh domethënës që tregon mbështetje për prokurorët e SPAK, por mbetet për t’u parë nëse do të miratohet në parlamentin e ardhshëm.

“Mbështetës, riaplikim, ishte mesazh për SPAK për të vazhduar më tej ndërkohë që kemi filluar dhe jemi futur në kohë fushate, pra ishte një mesazh për të goditur më tej në politikë. Me konstituimin aktual është thuajse i pamundur shtyrja e një mandati tjetër. Nuk mendoj se arrihen dot 93 vota, dhe pa mbështetjen e opozitës nuk arrihet. PS mendoj se nuk e do por ka treguar se me aleatët është më luajale dhe do ishte më e hapur për ta bërë. Sepse kërkesa ishte shumë e hapur nga aleatët”, tha Rakipllari.

Arion Sulo u shpreh po ashtu se ka një kleçkë në Kushtetutë në lidhje me këtë, që sipas tij amerikanëve u ka shpëtuar.

“Duhet të presim qëndrimin e administratës së re të SHBA, nëse ka qëndrim ka në të gjithë strukturën. Kjo kleçkë në kushtetutë u ka shpëtuar ndërkombëtarëve dhe është bërë me kastile, sepse është non sens që prokurorët të kenë mandat. I përket parlamentit të ardhshëm dhe është një rast që nëse mazhoranca do të rikonfirmohet ata të bëjnë një marrëveshje në kurriz të interesave të SPAK por edhe të vendit, sepse ata duhet të lëshojnë një gjë, por do marrë diçka për ata që do të rikandidohen. Ajo që duket është që amerikanët nuk është se i bëjnë punët hapur, dhe kërkesa e hapur sot duket se nuk kanë gjetur dakordësi”, tha ai.

Gazetarja Anila Hoxha tha se edhe nëse nuk do të ketë zgjatje të mandatit për prokurorët e SPAK, ata pas mbylljes së këtij mandati, do të vijojnë të jenë prokurorë të thjeshtë për të përmbushur mandatit 9 vjecar.

“Nëse Duamani do qëndrojë në mandat deri në dhjetor 2025 dhe më tej nuk është më, ai vazhdon mandatin si një prokuror i thjeshtë. Do duhet të përmbushë mandatin 9 vjeçar sikurse prokurorët e tjerë. Nëse do jemi te këto parametra kushtetues që jemi për momentin. Mesazhi sot i amerikanëve ishte shumë domethënës. Unë e lexova si një mbështetje për prokurorët, sesi do hapen më tej kartat do duhet t’i shikojmë”, tha ajo.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA