Përplasje brenda opozitës në Kuvend, Noka shtyn Shehajn, ligji për faljen e gjobave pritet të votohet sot në mbrëmje

19/12/2024 19:39

Paralajmërimin për rikthimin e mosbindjes civile në parlament nga Sali Berisha, nuk e vuri në veprim grupi parlamentar i PD.

Por për të bërë protagonistin dhe për t’u shfaqur Live në TikTok në parlament, këtë herë ishte Agron Shehaj ai që tentoi ta bënte këtë rol.

E ndërsa kryetarja Elisa Spiropali ia kishte dhënë fjalën kryetarit të PD Sali Berisha, deputeti Agron Shehaj bllokoi foltoren duke insistuar në interpelancën me numrin dy të qeverisë Belinda Balluku. Berisha nuk mundi të flasë pasi bllokimi nuk i erdhi nga Spiropali si zakonisht, por prej Agron Shehajt.

“Ulu mos blloko foltoren, nuk i fiton dot votat që do të fitosh as me populizëm, as me TikTok, as me bllokim foltoreje. Ulu në vend. Jeni i përjashtuar nga seanca në bazë të nenit 65”, tha Spiropali.

Kjo situatë prodhoi ndërprerjen e seancës por nga kjo video e siguruar prej Top Channel sherri parlamentar vijoi mes kreut të grupit parlamentar Gazment Bardhi dhe Agron Shehajt me akuza të ndërsjellta.

Rikthimi në seancë plenare e vijoj atë që mund të quhet sherr brenda llojit. Kësaj here mes Flamur Nokës dhe Agron Shehajt, ku nuk munguan edhe përplasjet fizike me spektatorë deputetët socialistë.

“Largohu, mos më detyro të të plas përtokë. Largohu se je bërë kloun i Erion Veliajt këtu, largohu. Mu hiq, mu hiq qafe tani, ik. Ore mu hiq qafe se qafe se po flas. A do ikësh tani apo jo. Lojën e Erion Veliajt bën. Lali vjedhësi i përdor. Shiko këta rilindasit kanë një gjë, kur të përdorin, të keqpërdorin në mënyrën më të egër dhe kaq nuk kemi asnjë fjalë”, tha Noka.

Kuvendi vijon diskutimet ku në rend të ditës është edhe projektligji i propozuar prej socialistit Erion Braçe për faljen e gjobave.

Toni Gogu nënkryetar i grupit parlamentar socialist, paralajmëroi rrëzimin e amendamenteve të grupit parlamentar të PD përmes të cilave synohet zgjerimi fashës së faljes të gjobave.

“Erdhët në komision edhe po tinëzisht paraqitët edhe amendamente. Kuptohet amendamente që s’kanë lidhje me masat administrative, s’kanë lidhje më anulimin e masave administrative. Ne atë nismë që kemi diskutuar gjatë me qytetarët, do ta bëjmë ligj. Dhe sot ato masa administrative të vendosura në mënyrë jo proporcionale do të anulohen, doni apo s’doni juve. Ju lërini lodrat mënjanë, qoftë ato procedurale, qoftë ato politike”, tha Gogu.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA